CIVIL Media: Si është mendimi juaj për referendumin, për çështjet para referendumit, pas referendumit për gjendjen aktuale, për fushatën… si e shihni ju gjithë këtë?
Musliu: Referendumi është kulmi i një aktiviteti disa vjeçar në Maqedoni, nga një aspekt ndryshe, që do të thotë, referendumi është kulmi i një veprimi i ndryshimit të mënyrës së qeverisjes në Maqedoni, i cili zgjatë që tre vite. Ne para tre vite ishim pa shpresë, qytetarë me apati kolektive dhe me nervozizëm personal, çdo qytetar i Maqedonisë ishte nervoz, duke mos e ditur për çka, dhe filloi një zhbllokim, një zgjidhje e gjithë asaj në cilën gjendeshim veç më tre vite para kësaj. Ky ishte një proces i rëndë, një proces që nënkuptonte edhe flijime, kërkonte guxim, kërkonte veprim, edhe përfundoi me nënshkrimin e tre marrëveshjeve, edhe pse te ne nuk eksplorohet shumë fakti se qeveria jonë filloi me nënshkrimin e marrëveshjes me Kosovën, e cila nuk arrihej të nënshkruhet para, vazhdoj me marrëveshjen me Bullgarinë, dhe përfundoi me marrëveshjen e Prespës me Greqinë, e cila duhet të kapitalizohet me referendum. Edhe pse ka paqartësi edhe pse ka defetizëm për referendumin, unë jam optimist se referendumi do të përfundoj pozitivisht, bile ka mundësi reale që edhe censusi të arrihet, edhe pse është referendum këshillëdhënës. Por te ne politika nuk e tejkalon veten, nuk e tejkalon nevojën dhe madhësinë e momentit, dhe tentojnë të përfitojnë pikë të imta edhe pse politikanët jetojnë prej pikave politike, por tentojnë të përfitojnë pikë të imta në një fazë kur shteti realisht gjendet në një udhëkryq. Ose do të shkojmë me një prosperitet, me një hapje mundësish, me një zhvillim edhe evropeizim jo vetëm të shtetit, por edhe qytetarëve ose do të shkojmë me një drejtim të paqartë ku çdo zgjidhje është e mundshme, kur them çdo zgjidhje, gjithë zgjidhjet janë të këqija në atë drejtim, nuk ka asnjë zgjidhje e cila është më e mirë se kjo e para e cila ofron zhvillim. Mendoj se kemi pasur një fushatë pak më aktive, dhe është mirë që fushata nuk filloi shumë më herët ngase nuk kemi ne ndonjë kapacitet të memories kolektive të gjatë, qytetarët tonë lodhen shpejtë, çështjet i defokusojnë, ashtu që mirë është që edhe promovuesit e referendumit filluan një fushatë më të ngjeshur muajin e fundit. Të ishte bërë kjo në maj, besoj se deri tani… aq çështje paraqiten te ne çdo ditë, deri tani do të ishte harruar edhe qëllimi e referendumit. Mendoj se ka një të mirë që qeveria edhe parlamenti edhe gjithë subjektet promovojnë një fushatë pozitive, tentojnë t’u tregojnë qytetarëve anën pozitive, zgjidhjes pozitive të referendumit, mendoj se mungon pak, t’u bëhet me dije qytetarëve, veçanërisht atyre të cilët janë të pavendosur se cilat janë edhe mangësitë, nëse ndodh që referendumi të mos rezultojë me sukses, gjë që mund të ndodh. Mendoj se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm, dhe për këtë mund ta marr shembull edhe Bregzitin. Pas Bregzitit shumë qytetarë i kaploi letargjia, disa me ndjenjë se kjo nuk mund të ndodh, dhe ja që ndodhi, dhe e treta, si në Britani edhe te ne, jo shumë qytetarë janë të vetëdijshëm, se cilat mund të jenë pasojat negative nëse referendumi nuk ka sukses.
CIVIL Media: Pasi referendumin e paraqitën si këshillues, sidoqoftë nga rezultati i referendumit, si do të kalojë mandej në qeveri, sepse është këshillues, a do ta marrin parasysh ose?
Musliu: Referendumi është mënyra më e drejtpërdrejtë e shprehjes së qytetarëve, të cilin edhe qeveria edhe politikanët duhet ta marrin parasysh. Nëse ndodh që në referendum kushtimisht 700.000 qytetarë votojnë kundër marrëveshjes së Prespës, nuk ka dilemë se qeveria nuk mund të vazhdojë nëpërmjet parlamentit ta ratifikojë marrëveshjen, që t’i bëjë ndryshimet kushtetuese. Në rast se, kushtimisht, në referendum dalin 895.000 qytetarë edhe 800.000 votojnë pro referendumit, ajo është një këshillë, një verdikt i qytetarëve, i cili obligon edhe qeverinë edhe parlamentin se duhet të veprojë konform asaj. Nuk duhet t’i ngatërrojmë çështjet teknike siç është arritja e cenzusit, mund të jetë edhe çështje ligjore, por siç thash, kjo është referendum këshillues, edhe atë moral dhe politik. Nëse vullneti i popullit dhe vullneti i qytetarëve thotë se shumica dërmuese janë pro ndryshimeve kushtetuese, zhbllokimit të proceseve të integrimeve euroatlantike, unë mendoj se politikanët nuk duhet të kenë dilemë pavarësisht se do të ketë keqdashës ose kundërshtarë të cilët do ta kundërshtojnë atë, me vetë faktin se kushtimisht, nuk është arritur censusi. Nga ana tjetër shprehja e qytetarëve me një shumice absolute është obliguese politikisht dhe moralisht për ata politikanë, që ta kryejnë procesin ashtu siç i ka këshilluar qytetari nëpërmjet referendumit.
Kjo video intervistë është pjesë e iniciativës qytetare “Bën hap përpara!”, e financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedonia. Përmbajtja është përgjegjësi e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet e i shpreh këndvështrimet dhe qëndrimet e iniciativës qytetare “Bën hap përpara!”.