Në Gjykatën Penale në Shkup sot duhet të mbahen seanca për katër lëndë të Prokurorisë Speciale Publike – “Tortura”, “Tanku” procesdurë e ndarë për Gordana Jankullovskën, “Titanik” dhe Titanik 3″.
Në rastin “Tortura” duhet të dëgjohen 35 incizime audio shtesë që në kërkesë të prokurores Lile Stefanovska publiku do të përjashtohet për shkak të lëndimit të mundshëm të privatësisë. “Tortura” i referohet mënyrës për privim nga liria të liderit të Partisë për Maqedoni të Bashkuar dhe ish ministër i Brendshëm, Lube Boshkovski më 6 qershor të vitit 2011, një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në këtë lëndë të akuzuar janë ish drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, ish njeriu i parë i Njësitit “Alfa” Ivica Antevski- Puki dhe pesë pjesëtarë tjerë të Njësitit.
Në Gjykatën Penale duhet të vazhdojë gjykimi për ish ministren për Punë të Brendshme Gordana Jankullovska në procedurë të ndarë për rastin “Tanku” të PSP-së.
Në seancat e kaluara janë dëgjuar dëshmitarë, që në një mënyrë janë përfshirë në furnizimin publik të veturës së blinduar “mercedes gard” në vlerë prej 600 mijë euro në vitin 2012. Dëshmitarët e dëgjuar në seancat e deritanishme në procedurën e ndarë për rastin “Tanku” janë dëgjuar edhe në rastin që veçmë përfundoi me një vendim të prokurorisë për dy vjet burg për ish kryeministrin Nikolla Gruevski si nxitës të kryerjes së veprës dhe gjashtë muaj burg për ish ndihmës/ministrin e MPB-së Gjoko Popovski.
Duhet të vazhdojë gjykimi edhe për rastin “Titanik”. Seanca e kaluar ishte anuluar për shkak të sëmundjes së të akuzuarit Martin Protugjer. Në lëndën “Titanik” të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish funksionarët Martin Protugjer, Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska. Ata dyshohen nga PSP për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012.
Ndërkaq, në “Titanik 3”, të akuzuar janë deputeti i BDI-së Ejup Alimi dhe Ismet Guri për parregullsi zgjedhore në Çair. (MIA)