Këshilli republikan për siguri të komunikacionit në rrugë (KRSKRR) u rekomandon vozitësve t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, të mos i anashkalojnë paralajmërimet nga meteorologët dhe kushtet momentale në rrugë dhe posaçërisht të kenë kujdes kur vozisin gjatë reshjeve të rrëmbyeshme verore të shiut.
“Nëse gjatë udhëtimit ju zë moti i lig i shoqëruar me reshje të rrëmbyeshme të shiut, bubullima dhe erë, atëherë detyrimisht uleni shpejtësinë e lëvizjes për 10 apo 20 kilometra në orë dhe evitoni vozitjen nëpër rrugë dhe rajone të vërshuara. Kur shiu është mjaft i fuqishëm dhe dukshmëria përmes xhamit të përparmë të automjetit është pakësuar deri 50 metra – ndaloni, qëndroni anash dhe pritni të ulet intensiteti i reshjeve”, thonë nga KRSKRR.
Gjatë shpejtësive më të mëdha, shtojnë, automjeti e humbë kontaktin me shtresën, ngritet nmga rruga dhe sillet sikur të skijojë në ujë. Nëse ndodhë kjo, ngadalësoni deri në atë shpejtësi kur automjetin do ta ndjeni normalisht.
“Në rast se mbeteni defekt në rrugë gjatë reshjeve të rrëmbyeshme të shiut, sigurohuni që automjeti të jetë jashtë rrugës. Vendoseni anash dhe kyçni sinjalizuesit. Sigurojeni rrethinën me trekëndësh apo me kone. Mos dilni nga automjeti. Kërkoni ndihmë dhe pritni në automjet. Nëse dëshironi vetë të përballeni me problemin e automjetit, pritni të ndalen reshjet, vishni jelekun reflektues dhe bëhuni i kujdesshëm”, rekomandojnë nga KRSKRR.
Nga atje cekin se kushtet për vozitje, posaçërisht gjatë verës, ndryshojnë shumë shpejtë.
“Pas shiut paraqitet dielli, uji avullon dhe paraqitet problem tjetër për vozitësit – mjegulla. Edhe pse kjo mjegull nuk është aq e dendur dhe e rrezikshme si mjegulla në dimër, megjithatë bëhuni të kujdesshëm, kyçni dritat për mjegull dhe uleni shpejtësinë para se të hyni në mjegull. posaçërisht bëhuni të kujdesshëm kur vozitni përgjatë tatëpjetave, kodrave apo vendeve malore. Uleni shpejtësinë para se të filloni ta ngjitni kodrën. Mundësia për të pasur automjet të ngecur në rrugë, shembe të shkëmbinjëve apo kolonë të automjeteve është e madhe, ndërsa për shkak të mjegullës nuk do të keni mujndësi t’i shihni me kohë”, theksojnë nga KRSKRR.
Vozitja e kujdesshme, theksojnë, është kyçe për sigurinë e çdo pjesëmarrësi në komunikacion, ndërsa përgjegjësia gjatë vozitjes është veçori e karakterit të secilit vozitës dhe kontribuon për zhvillim të sigurtë të komunikacionit.