Parlamenti do të punojë deri më 10 shtator kur kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi pret të fillojë fushata për referendumin, që, megjithatë, tashmë është caktuar për më 30 shtator. Edhe pse propozues të vendimit janë deputetët, Xhaferi thotë se bartës së fushatës do të mund partitë politike, por edhe Qeveria, dhe madje edhe Kuvendi. Sipas tij, edhe ata që do të përcaktohen të mos marrin pjesë në referendum, do të kenë një lloj fushate.
“Propozues janë deputetët, ndërsa ata janë përfaqësues të partive politike, sido që të jetë, nuk janë përjashtuar të gjithë subjektet të cilët e bëjnë jetën politike në shtet. Edhe mospjesëmarrja formale është pjesëmarrje me përcaktim. Prandaj deputetët, gjegjësisht partitë politike, do të jenë ato të cilat do ta zhvillojnë fushatën për t’i bindur qytetarët se duhet të dalin në referendum. Sipas analogjisë të gjitha afatet janë të njëjta si për zgjedhjet me dallim në përbërjen e bordeve kush do të jenë në vendet zgjedhore. Pasi është iniciativë civile është lënë që ata anëtarë të mos jenë partiakë. Mendoj se KSHZ-ja bartësve të fushatës do t’u mundësojë ta vëzhgojnë procesin”, thotë Xhaferi.
Paralajmëron se të gjithë pjesëmarrësit në fushatë duhet të udhëhiqen nga interesat e përgjithshme të qytetarëve, e jo nga individët.
“Tashmë tre dekada qytetarët e RM-së pa dallim të përkatësisë së tyre etnike dhe fetare, në pothuajse 80 për qind, janë për procesin integrues të Republikës së Maqedonisë dhe në këtë kontekst pres të rritet dalja në votim për çështjen e referendumit. Në parim gjithmonë jam optimist dhe u besoj qytetarëve se e kanë kuptuar mesazhin dhe nevojën për referendumin dhe do ta shprehin përcaktimin e tyre të jenë pjesë e BE-së dhe NATO-s”, tha Xhaferi në brifingun e rregullt të sotëm me raportuesit nga puna e Kuvendit.
Vendosja në referendum lidhur me karakterin konsultativ, është punë e propozuesve, shtoi Xhaferi, i cili është nënshkrues i inicitivës.
E përsërit qëndrimin se Maqedonisë nuk i duhen zgjedhje të parakohshme.
“Më së paku janë të nevojshme zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nuk do të duhej në mënyrë hipotetike të merremi me disa çështje, por duhet të apelojmë që ky proces që ka filluar të vijojë ashtu siç është planifikuar, me thirrje që të gjithë të kontribuojmë për atë që është në interes të qytetarëve dhe të shtetit”, tha Xhaferi.
Ai informoi se Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë në Gazetën Zyrtare do të shpallet pas referendumit, edhe pse paraprakisht kishte një mendim tjetër lidhur me këtë çështje.
“Konsideroj se koha më e përshtatshme të ndodhë kjo është pas prononcimit të qytetarëve lidhur me çështjen e referendumit, sepse në një kontekst të caktuar i gjithë suksesi i Marrëveshjes varet nga vendim i qytetarëve të cilin do ta marrin në referendum edhe kjo është koha më e përshtatshme të veprohet lidhur me marrëveshjen”, tha Xhaferi.
Përveç Marrëveshjes me Greqinë edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk është nënshkruar nga ana e presidentit të shtetit dhe pas votimit të sërishëm. Sipas Xhaferit, Kuvendi ka për obligim ta zbatojë vullnetin e shumicës dhe t’i ringjallë ligjet që janë sjellë.
“Duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat të cilat kanë të bëjnë me procesin e referendumit nuk do të doja tani Kuvendi të veprojë si frenues, ose si institucion i cili do të veprojë në kundërshtim me atë që e deklaruam se jemi të fokusuar në procedurën për referendumin. Pasi do të përfundojë referendumi ne do të mund të veprojmë për të gjitha çështjet dhe ta zbatojmë vullnetin e shumicës, në të vërtetë ai është vullnet i shumicës së qytetarëve të cilët na zgjodhën”, tha Xhaferi.
Në takimin me gazetarët ai informoi se Kuvendi do të bëjë pushim me seancat plenare deri më 20 gusht dhe se seanca e parë mund të thirret rreth 29 dhe 30 gusht.
Në periudhën pas pushimeve verore duhet të pritet, sipas kryetarit të Parlamentit, Kuvendi t’i zgjedhë anëtarët e disa komisioneve të shkallës së dytë të cilat kanë mbetur pa njerëzit e tyre të parë pas shkarkimit të tyre, por gjithashtu edhe të zgjidhet drejtori i APT-as.
Në muajin shtator pritet të finalizohen ndryshime të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në takim në kuadër të procesit Zhan Mone në të cilin duhet të marrin pjesë edhe tre eurodeputetë.
Këto ditë duhet të përfundojë edhe procedura për përcaktimin e projeksioneve për buxhetin e Kuvendit për vitin e ardhshëm. Në gjysmën e parë të vitit Kuvendi ka pasur 57 seanca prej të cilave dhjetë nuk kanë përfunduar. (MIA)