Sindikata e “Jugohromit” i vlerëson akuzat e Shoqatës “Eko Guerila” si tendencioze dhe të pavërteta dhe kërkon t’i mundësohet kombinatit të fillojë me punë, ndërsa paralelisht me të të vazhdojë instalimi i sistemit për pastrimin e pluhurit.
Sipas Sindikatës, akuzat e “Eko Guerilës” se “Jugohromi” është ndotësi më i madh në rajonin e Pollogut, janë madje të paargumentuara dhe tendenca është që ky kombinat të mos vihet në funksion.
Nga Sindikata sot përmes pres konferencës theksuan se analizat e bëra në bazë të provave nga institucionet kompetente, tregojnë se edhe në periudhën kur “Jugohromi” nuk ka punuar, ka pasur ndotje të ajrit.
“Në janar 2016 ndotja në Tetovë është 213 mikogramë, ndërsa ‘Jugohromi’ nuk punon, ndërsa në maj kur ‘Jugohromi’ punon dhe ka shpenzuar 17.100 megavat orë, ndotja është 52 mikogramë në metër katror. Në janar 2017, kur ‘Jugohromi’ nuk funksionon, ka ndotje prej 116 mikogramë, ndërsa në prill 32 mikogramë. Çfarë nënkupton kjo”, ka pyetur Borçe Ançevski nga “Jugohromi”.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës, Bajram Amiti ka hedhur poshtë pohimet se Pollogu është një nga rajonet me numër më të madh të sëmundjeve në mushkëri dhe kancerogjene pasi sipas të dhënave nga Instituti për Shëndet publik, rajoni i Pollogut është në vendin e shtatë sipas kësaj baze.
Kombinati i “Jugohromit” nuk është funksional tashmë dy vite për shkak të mosinstalimit të filtrave për pastrimin e ajrit. Nga Qeveria janë kategorik se derisa nuk vendosen filtrat, “Jugohromi” nuk mund të fillojë me punë.
(MIA)