Qytetarët e Haraçinës dhe të punësuarit në pushtetin lokal do të bëhen me ndërtesë të re . Në objektin e ri, për ndërtimin e të cilit janë ndarë 260 mijë euro, të punësuarit do të munden në kushte përkatëse të krijojnë shërbime cilësore për qytetarët. Pushteti lokal në Haraçinë deri më tani ka qenë i sistemuar në baraka, të ndërtuara në vitin 1952.
Ndërtesa e re në komunë, e cila ka mbi 20 mijë banorë është një prej investimet kapitale për këtë komunë, ndërsa në plan janë edhe projekte tjera, mes të cilëve edhe ai që më në fund Haraçina të bëhet me kanalizim fekal, por edhe ujë cilësor të pijshëm.
Ndërtimi i kësaj ndërtese komunale realizohet me mjete grant përmes fondeve IPA në kuadër të projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale.
“E shënuam fillimin e ndërtimit të ndërtesës komunale në Haraçinë, falë ndihmës përmes fondeve të BE-së dhe mbështetjes së BB dhe Ministrisë së Financave në kuadër të projektit të përbashkët për mbështetje të komunave rurale., Kjo komunë mjaft e rëndësishme në Maqedoni, do të bëhet me ndërtesë dinjitoze”, tha kryeministri Zoran Zaev në shënimin e fillimit të ndërtesës.
Theksoi se ky është vetëm një nga projektet, që do të zbatohen për përmirësimin e kushteve për jetë në këtë komunë.
Ai theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në premtimet për mbështetje të të gjitha komunave rurale.
Kryetarja e Haraçinës, Milikie Halimi theksoi se kjo është një ditë e veçantë për komunën, kur vendoset gur-themel për ndërtesën komunale, e cila, siç tha, na nevojitet që t’u shërbejmë qytetarëve në mënyrë dinjitoze.
“Ky objekt i ri do të ndërtohet sipas standardeve më të larta. Nga kjo ndërtesë do të përpunojmë projekte të ndryshme dhe do të ngrisim nisma të ndryshme për të mirën e qytetarëve”, porositi Halimi.
Ministri i Financave, Dragan Tevdovski shprehu mirënjohje për BB dhe BE-në, të cilët financiarisht i mbështesin projektet për përmirësim të shërbimeve komunale.
Sqaroi se bëhet fjalë për shumë të përgjithshme të huave prej 81,1 milionë euro nga BB dhe 20,6 milionë euro grant mjete nga BE-ja përmes IPA fondeve dhe sqaroi se ndërtesa në Haraçinë është finalizuar me grant mjete nga IPA.
“Deri më tani janë lidhur 72 kontrata me 56 komuna për hua përmes projekteve, ndërsa për IPA kontratat grante janë lidhur me të gjitha 78 komunat për 133 projekte. Kanë mbetur rreth pesë milionë euro nga projekti, për të cilin paralajmëroj se Ministria e Financave së shpejti do të publikojë thirrje të re”, tha Tevdovski.
Euroambasadori Samuel Zhbogar theksoi se projekti është i dedikuar që t’iu sigurojë qytetarëve qasje në kushte më të mira në pushtetin lokal.
Përfaqësuesi i BB, Bekim Imeri përmendi se institucioni ndërkombëtar e mbështet Maqedoninë nga vet fillimi i procesit për decentralizim në vitin 2000, përmes projekteve të ndryshme.
Shtoi se projekti i fundit është ai për programin për shërbime komunale, i cili zbatohet nga viti 2009. (MIA)