Në Gjykatën Penale sot duhet të mbahet seancë për rastin “Monstra” kundër të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smillkovës në Shkup më 12 prill 2012.
Lëndën “Monstra” muajin e kaluar e ndërmori Prokuroria Publike Speciale. Prokurorja Speciale Katica Janeva tha se pret procesi gjyqësor të vazhdojë në fazën në të cilën është ndërprerë dhe se janë të gatshëm ta prezentojnë lëndën para gjykatës.
Masakra në Liqenin e Smillkovës ndodhi më 12 prill 2012, para festës ortodokse Pashkët, kur u vranë djemtë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski.
Për vrasjen e pesëfishtë u hap lënda “Monstra”, ndërsa me burgim të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.
Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar i pezulloi aktgjykimet, i liroi nga burgu të dënuarit Agim Ismailoviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri dhe u caktoi masa kujdesi. Për gjykatën nuk janë të kapshëm Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq për të cilët është shpallur fletëarrestim ndërkombëtar.
Burimi: MIA