Ministri shqiptar i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se, për banorët e Kukësit që përdorin transportin publik në “Rrugën e Kombit” nuk do të ketë asnjë tarifë.
Në një intervistë televizive në Report TV, Gjiknuri tha se “qeveria do e marrë parasysh pjesën e komuniteteve në Kukës, Tropojë dhe Has.
“Jemi duke diskutuar që të ndryshohet kontrata për të adresuar disa shqetësime. Një ekip ndodhet në Kukës, ku po zhvillon takime me palët e interesuara për të mbledhur opinione për sektorë që mund të preken dhe bashkë me koncesionarin do të bëjmë ndryshimet e duhura. Ajo rrugë kalon në zonën më të varfër të vendit, por është me koston më të lartë dhe akoma nuk ka mbaruar”, tha Gjinkuri.
Sipas tij banorët e Kukësit që përdorin transportin publik nuk do të preken nga tarifat. Për banorët me mjete private do të ketë tarifë të reduktuar të arsyeshme. Për qytetarët e tjerë shqiptarë, shqiptarët e Kosovës dhe qytetarët e vendeve të tjera nuk do të ndryshojë tarifa, pra do të jetë 5 euro.
“Jemi në negociata me kompaninë dhe banorët e Kukësit dhe para verës do të vendoset në fuqi tarifa. Tarifa nuk do të ndikojë në uljen e pushuesve nga Kosova”, theksoi Gjiknuri, duke shtuar se të gjitha shpenzimet që do të bëhen do të rrisin ekonominë e vendit.
Burimi: MIA