Ndërtimi i autostradës nga Shkupi deri në Bllacë është prioritet i lartë për Qeverinë, sepse kemi këmbim të rëndësishëm ekonomik me Kosovën dhe do të përpiqemi që sa më shpejt të realizohet, paralajmëroi sot zëvendëskryeministri i Çështjeve Ekonomike Koço Angjushev.
“Projekti për rrugën nga Shkupi deri në Bllacë në gjatësi prej 13 kilometrash, vlera e së cilës është 63 milionë euro, ka përfunduar dhe është në revizion. Biseduam edhe me Bankën Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim ta financojë ndërtimin e autostradës”, tha Angjushev duke iu përgjigjur pyetjes pas vizitës së punës në Odën Ekonomike të Maqedonisë.
Ai theksoi se Maqedonia do të angazhohet që rruga prej 13 kilometrash sa më parë të përfundojë.
“Për autostradën deri më tani nuk kishte dokumentacion teknik. Tani është bërë dhe në vazhdim është revizioni i tij, ndërsa paratë do të ndahen dhe determinohen si prioritare”, theksoi Angjushev.
Porositi se shteti duhet tu ndihmojë edhe ndërmarrjeve në zonën e Vizbegut e cila vetë është zhvilluar.
“Shteti duhet t’i japë rëndësi dhe t’u ndihmojë ndërmarrjeve në këtë zonë. Punojmë në atë që të gjejmë mjete dhe të zgjidhim disa projekte të tyre infrastrukturore”, tha Angjushev.
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.