Zjarret që ndodhën në Tetovë, Manastir, Gjorçe Petrov dhe i fundit në Ohër, të cilët, për fat të keq, përfunduan me viktima, e imponuan pyetjen për shkaqet e shkaktimit të tyre dhe sa qytetarët mund të veprojnë në mënyrë preventive për uljen e rasteve të vdekjes.
Analizat e shërbimeve zjarrfikëse tregojnë se në 98 për qind të rasteve, faktori njeri është shkaktari për zjarret, pa dallim nëse bëhet fjalë për moskujdes të tij, mungesë të kulturës së sjelljes apo për shfrytëzim dhe mirëmbajtje joadekuate të aparateve elektrike dhe aparateve për ngrohje.
Nga Brigada Zjarrfikëse e Qytetit të Shkupit evidentojnë rritje të numrit të zjarreve për 42 për qind vitin e kaluar në krahasim me vitin 2016. Kështu, vitin e kaluar intervenuan në 1.600 raste për dallim nga viti 2016 kur kanë pasur 1.116 intervenime.
Kontejnerët po digjen gjithnjë e më shpesh
Për çdo ditë po digjen edhe kontejnerët dhe kjo jo vetëm që tërheq intervenim të shërbimeve zjarrfikëse, por plotësisht me vetë djegien ndotet ajri. Është interesante ajo që më shpesh intervenimet e shërbimeve zjarrfikëse janë në rajonin qendror të qytetit ku askush nuk nxehet me derivate të ngurta dhe është më e vogël mundësia të hidhet prush në kontejner.
“Ndezja e zjarrit ndodh më shpesh në orët e vona të natës kur të rinjtë kthehen nga qyteti. Sipas meje, kontejnerët digjen për argëtim. Më herët kishte raste të këtilla, por kjo ishte e papërfillshme. Kemi pasur në nivel vjetor rreth 100 intervenime të tilla, por muaji i kaluar është dëshmi se ndodhin rreth 20 ndezje të tilla zjarri posaçërisht i kontejnerëve plastikë të cilët digjen lehtë”, thotë komandanti i Brigadës Zjarrfikëse të Qytetit të Shkupit, Zvonko Tomevski.
Në hidrantët nëpër ndërtesa ruhet gjithçka, vetëm jo pajisje për shuarje të zjarrit
Rrjeti hidrant në të kaluarën është zhvilluar në pajtueshmëri të nevojave dhe mund të thuhet se në pjesën urbane të Shkupit ai është zhvilluar mjaftueshëm. Problemi është mirëmbajtja dhe korrektësia e tij. Nuk janë të rralla rastet në të cilët në hidrantët në ndërtesat banesore ruhet gjithçka, vetëm jo pajisje për shuarje të zjarreve që që e vështirëson intervenimin e shërbimeve zjarrfikëse.
“Disa herë kam thënë se duke mos ditur se çka do të gjejmë në vendin e ngjarjes si rrjet hidrant, çdoherë gjatë intervenimeve tona mbajmë mjete të mjaftueshme për shuarje që tërheq automjete dhe pajisje plotësuese. Për fat të keq, rrjeti hidrant nuk mirëmbahet në mënyrë adekuate, posaçërisht në ndërtesat banesore ku është tërësisht jofunksional”, thekson Tomeski.
Shkallët e zjarrfikësve shfrytëzohen si hapësirë deponuese
Shkallët e zjarrfikësve të cilat janë pjesë e ndërtesave për akomodim banesor shërbejnë për intervenim më të shpejtë të zjarrfikësve dhe për evakuim të banorëve në rast të zjarrit, por për fat të keq tek ne, ato kanë dedikim tjetër. Nëpër shkallë vendosen sende të ndryshme ose përdoren si kuzhina verore kështu që në mënyrë praktike janë jofunksionale gjatë shuarjes eventuale të zjarreve.Kjo është edhe një tregues se mungon kulturë e të jetuarit dhe se qytetarët pa menduar se mund të paraqitet zjarr, i përdorin këto shkallë për gjithçka.
Përveç shkallëve të zjarrëfikësve, në ndërtesa nevojitet të ketë edhe ndriçim për alarm i cili kyçet kur është e fikur energjia elektrike dhe alarmi për zjarre.
Ka shumë punë të cila me siguri janë implementuar në çdo ndërtesë, por për fat të keq tani nuk funksionon asgjë. Dritat alarmuese janë hequr, sistemet e alarmit nuk funksionojnë”, thonë zjarrfikësit të cilët përballen me probleme të tilla gjatë intervenimit të tyre në ndërtesat kolektive.
Mungojnë zjarrfikës, ndërsa parku i automjeteve është i vjetër, rreth 20 vjet
Shërbimet e zjarrfikësve në vend përballen me mungesë të kuadrit trajnues, ndërsa vështirësi paraqet edhe vjetrimi i parkut të automjeteve.
Kështu, për shembull, sipas të gjitha dispozitave ligjore, Brigada Zjarrfikëse në Shkup duhet të numërojë 384 zjarrfikës, ndërsa për momentin Njësia ka 201 zjarrfikës që është një numër i pamjaftueshëm për funksionimin e njësisë. Edhe një rrethanë shtesë që e vështirëson punën është ajo që mosha mesatare e zjarrfikësve është 48 vjet që konsiderohet si moshë e kaluar kur bëhet fjalë për lloj të tillë të shërbimit.
Për dallim nga shtetet fqinje si Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, Kroacia dhe Sllovenia të cilat në tërësi e ndërruan parkun e automjeteve, në Maqedoni zjarrfikëset janë të vjetra rreth 20 vjet.
“Është shumë vështirë që të mirëmbahet në gjendje të shkëlqyer një park i tillë automjetesh. Është e pamundur të sigurohen pjesë rezerve për rregullim dhe servisim në kohë. Disa herë bëjmë përpjekje të marrim operator ekonomik i cili do t’i mirëmbajë automjetet, por nuk paraqitet askush. Për atë mendoj se është mirë të mendohet në nivel shtetëror të bëhet rifreskim i të gjithë parkut të automjeteve me të cilin disponojnë njësitë e zjarrfikësve me ç’ka mund të kursehen mjetet në raport të asaj që e ndajmë gjatë mirëmbajtjes së atyre veçmë ekzistuese”, thotë Tomeski.
Këtë vit më në fund pas 25 viteve zjarrfikësit e qytetit të Shkupit do të furnizohen me automjete të reja për çka janë siguruar mjete në Buxhetin e Qytetit të Shkupit.
Parandalimi dhe edukimi janë të rëndësishme, por duhen edhe reforma
Edukim i popullsisë dhe ndryshim i qasjes së qytetareve ndaj mirëmbajtjes së pajisjeve në hidrante është një prej masave parandaluese që të zvogëlohet numri i zjarreve.
Rekomandohet që qytetarët ta sigurojnë pronën e tyre në rast zjarri, përmbytje apo tërmeti. Por zjarrfikësit vlerësojnë se duhet të mendohet edhe për reforma në sistemin për mbrojtje dhe shpëtim.
“E di se shërbimet inspektuese me të cilat disponon Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim nuk janë të mjaftueshme të dalin në terren në çdo ndërtesë kolektive dhe për këtë ndoshta duhet të mendohet për ndonjë formë në sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit, gjegjësisht komunat të kenë inspektorë lokalë të cilët do t’i kontrollonin të paktën ndërtesat për akomodim kolekitv ku më shpesh paraqiten zjarret”, thotë Tomeski.
Sipas tij, ndoshta është mirë të mendohet edhe në drejtim të asaj një përqindje e caktuar e mjeteve të mbledhura nga akcizat për cigare dhe për karburante të ndahen për financimin e njësive zjarrfikësve në nivel shtetëror.
Biljana Anatastasova – Kositq
foto: Frosina Naskoviq
Burimi: MIA
Përmbajtjet që i merr Civili nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.