Vazhdon greva e gazetarëve të “Utrinski Vesnik”, “Vest” dhe “Dnevnik”. Për shkak të sjelljes injorante të menaxhmentit të “Media Print Makedonija”, prej sot, greva do të radikalizohet me vazhdim të kohëzgjatjes së protestës, prej 4, në 6 orë.
“Nesër, 21 shkurt 2017 do të del numri i 5000 i gazetës ditore “Vest”. Është për keqardhje që këtë edicion jubilar redaksia do ta përgatisë nga pozita e grevës”, thonë nga Sindikata e pavarur e Maqedonisë, në lajmërimin e sotëm.
Nga sindikata thonë se këto ditë, në vend të dëshirës për bisedë dhe zgjidhje të problemeve, po forcohen presionet mbi punëtorët e mediave me lajmërime përmes telefonit dhe kërcënime me largime nga puna dhe dënime.
“Për të gjitha këto do të informohen të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, sepse e drejta për grevë është e garantuar me kushtetutë dhe është pjesë e përfitimeve civilizuese të botës demokratike”, thuhet në lajmërimin e Sindikatës.
Edhe shoqata e gazetarëve të Maqedonisë ka shprehur përkrahje për kolegët nga MPM dhe ka kërkuar nga menaxhmenti i kompanisë t’i plotësojë kërkesat e Bordit Protestues për pagesën e rrogave dhe honorarëve të mbetura.
Kompania “Orka Holding” të premten ka lajmëruar se biznesmeni Jordan Kamçev e ka shitur pjesën e tij të pronës mbi “Media Print Makedonija”, dhe tani, sipas mediave, pronari i vetëm mbetet Srgjan Kerim.
Derisa zgjat greva e punëtorëve të mediave nga MPM, Prokuroria Speciale Publike e hulumton punën financiare të kompanisë, por nuk informojnë për më tepër hollësira, sepse siç thonë, bëhet fjalë për procedurë paraprake.