Të punësuarit në “Hekurudhat e Maqedonisë –Transport” dhe “ HM –Infrastrukturë”, tre ditë bëjnë grevë për shkak të pagesës së vonuar të pagave mujore. Të punësuarit i kërkojnë rrogat e pa paguar për muajin dhjetor dhe janar.
Komunikacioni hekurudhor në Maqedoni është plotësisht i bllokuar, nuk funksionojnë as trenat e pasagjerëve, as trenat e mallrave, ndërsa qytetarët janë të detyruar të gjinden vetë.
Nga “Hekurudhat e Maqedonisë-Transport” KP Shkup, thonë se i tërë sistemi hekurudhor ka pësuar humbje të madhe prej 5 milionë euro për shkak të bllokadave në hekurudhën në Greqi. Ndërsa, me borxhet e kthyera prej 15 milionë euro dhe pagesën e 5 rrogave të mbetura në fillim të këtij viti, HM-Transport po përballet me sfida të mëdha financiare.
Ndërkohë që hekurudha e Maqedonisë po përballet me probleme financiare, në fillim të këtij muaji, në Maqedoni arriti treni i fundit nga gjashtë trenat e rinj kinez, me çfarë u rrumbullakësua pajisja e “CSR”-ve Kineze për ripërtëritjen e parkut vozitës, vlera e të cilit ka arritur 25 milionë euro!
Përskaj këtij investimi, Ministri i Transportit Vllado Misajllovski, paralajmëroi edhe procedura tjera për ripërtëritjen e tërë parkut vozitës, për më saktë, për lokomotiva me vlerë prej 8,7 milionë euro. Ai dje për mediat deklaroi se janë lënë anash 360 milionë denarë për ndihmë të drejtpërdrejtë të hekurudhës, për rrogat dhe për të gjitha shpenzimet tjera.
Pritet që negociatat me udhëheqësit e “Hekurudhave të Maqedonisë” rreth pagesës së rrogave të dhjetorit dhe janarit, të fillojnë sot. Ndërkohë, qytetarët të cilët udhëtojnë çdo ditë, janë të lënë të gjinden vetë. Qytetarët të cilët shfrytëzojnë bileta mujore duhet të ndajnë edhe mjete plotësuese për transport me autobus, makinë ose taksi.
Studentët gjithashtu duhet të gjinden ashtu si munden. Këto ditë nuk do të vlen as transporti i lirë i cili edhe ashtu nuk i plotëson nevojat e tyre.