Një qytetare nga Shkupi, ka dërguar deri te CIVIL-Qendra për liri informatë se, sipas të dhënave nga Lista e mbyllur e Votuesve, në shtëpinë e saj në qendër të Shkupit, në rrugën “Divizioni i 50”, në Komunën Qendër, ende “jetojnë dy persona të cilët ajo nuk u njeh.
“Nuk e di se si personat G.D dhe M.D gjenden në Listën e Votuesve me të drejtë vote në Vendvotimin 2803, ndërkohë që janë të paraqitur në adresën tonë! Dëshiroj të theksoj se bëhet fjalë për shtëpi private, jo për ndërtesë, megjithatë, ato persona janë të regjistruar në adresën tonë, edhe atë në hyrjen 1, banesa numër 15!? Asnjëherë nuk kemi dëgjuar për këto persona, as fqinjët nuk i njohin…Nuk e di nëse janë të vendosur në ndonjë listë të veçantë, mirëpo ata ende figurojnë në adresën tonë”, thotë bashkëbiseduesja e CIVIL-Media.
Sipas informatave nga qytetaret dhe qytetarët, në periudhën e kaluar CIVIL vazhdimisht ka reaguar në publik se në Listën e Votuesve, edhe pas të gjitha kontrollimeve kryqëzuese, sundon rrëmujë. CIVIL ka alarmuar publikun, institucionet, veçanërisht Komisionin Zgjedhor Shtetëror, për votuesit “fantazma”. Në më tepër se 200 raste të votuesve “fantazma”, të dhënat e të cilëve janë dorëzuar në CIVIL, vetëm dy raste janë zgjidhur, gjegjësisht, janë korrigjuar të dhënat. Për fat të keq, KSHZ nuk ia doli të largohet nga ndikimet e partive politike, ndërsa revidimin e Listës së Votuesve nuk e zbatoi në mënyrë të duhur. Për fat të keq, kompetentët gjatë tërë kohës e hidhnin përgjegjësinë, përmendeshin baza të ndryshme të të dhënave, mospërputhje dhe jo azhurnim, mirëpo askush nuk e mori përgjegjësinë, e as Lista realisht nuk u pastrua. Kështu që, në Maqedoni do të mbahen edhe një herë zgjedhje në të cilat përskaj votuesve realisht ekzistues, do të “votojnë” edhe “fantazma”…Shpresojmë se KSHZ do t’u ndihmojë qytetareve dhe qytetarëve ta realizojnë të drejtën e tyre votuese në ditën e votimit dhe se do të reagojnë shpejtë në zgjidhjen e problemeve me të cilat ata do të përballen.