Maqedonia, 13 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat duhet ta vendosin fundin e krizës politike, jeton në klimë të ndotur si pasojë e standardit të ulët jetësor, dhe në realitet edhe më të kontaminuar politik, si rezultat i nivelit të ulët të kulturës politike dhe ndikimeve të fuqishme të qendrave të fuqisë, të mishëruara në aktorët e partive sunduese. Pra, periudhën parazgjedhore e karakterizojnë parregullsi zgjedhore, kërcënime dhe presione mbi elektoratin.
Fushatë zgjedhore me nivel të ulët të kulturës politike
Një person, pjesëmarrës i tubimit në Ohër, humbi jetën në aksident trafiku, disa janë shënjestër e dhunës fizike dhe verbale në këtë fushatë zgjedhore. Me qëllim të sigurohet prani e madhe në tubimet e VMRO-DPMNE, ushtrohen presione të fuqishme mbi administratën shtetërore, mbi vullnetarë të cilët janë në pritje të vazhdimit të kontratave për punë, ose të bëjnë kontrata të reja..kjo është pasqyre e periudhës parazgjedhore.
Organizata Joqeveritare CIVIL, për vetëm një javë ka evidentuar mbi 70 raste të parregullsive nga vëzhguesit në terren, dhe mbi 100 paraqitje nga qytetare dhe qytetarë për fillimin e parakohshëm të fushatës, për keqpërdorimin e resurseve shtetërore, të të miturve, evidentoi raste korrupsioni..
Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk ka mekanizma për shlyerjen e “fantazmave”
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot në seancë duhet ta nënshkruajë Listën e Votuesve dhe materialin zgjedhor ta dorëzojë në komisionet komunale zgjedhore, në pajtim me afatet nga Kodi Zgjedhor.
Mirëpo, edhe pse Lista e Votuesve ka kaluar disa filtra, në të cilat, përveç qytetare/ëve, vërejtje kanë dorëzuar edhe partitë politike, ka mbetur i pa pastruar. Sipas shpalljeve të fundit të KSHZ, Lista e Votuesve numëron 1.784.524 votues. Mirëpo, sipas paraqitjeve të qytetarëve, vetëm në komunën e Resnjes, nga gjithsej 17.011 votues, rreth 1000 votues në LV janë “fantazma”.
KSHZ nuk jep përgjigje as në kërkesat e CIVIL, as në ankesat e qytetarëve. Në vend të transparencës, ky organ shtetëror karakterizohet me hermetizëm, edhe pse është me rëndësi vitale për besueshmërinë e këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat duhet t’i vendosin fundin krizës politike në vend.
Në mes të fushatës zgjedhore, puna e PSP është e intensifikuar
Gjykimi për lëndën “Fortesa2” është i prolonguar, në të cilin PSP ka akuzuar shtatë persona të punësuar në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), për shkatërrimin e paligjshëm të dokumenteve, 2/047 shkrimeve zyrtare nga përgjimet e paligjshme. Dëgjimi i fundit është caktuar më 17 janar, për arsye se, sipas mbrojtjes dhe gjykatëses, PSP nuk ka pasur leje nga DSK për përdorimin e dëshmive të klasifikuara në procedurë gjyqësore. Sipas PSP, me këtë vihen në pyetje edhe procedurat tjera në Gjykatën, në të cilën dëshmitë nuk kanë qenë të deklasifikuara. I akuzuari i parë është shefi i mëparshëm i Drejtorisë së Pestë, Goran Grujovski. Gjykimin e udhëheq gjykatësja Lidija Petrovska, për të cilin PSP ka kërkuar përjashtim për shkak të përmendjes së saj në “bombat” e ashtuquajtura, të cilat vitin e kaluar i publikoi Zoran Zaev, lideri i opozitares, LSDM.
PSP nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar ka kërkuar që ta marrë nën kompetencë rastin “Sopot”. Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski ka konfirmuar se ka pranuar kërkesë voluminoze, të cilën do ta shqyrtojë në periudhën e ardhshme, por tha se rasti të cilin e kërkon PSP, ka ndodhur kohë më parë.
PSP ka dorëzuar kërkesë të re deri te Gjykata Penale, për marrjen e vendimit të gjykatës për hetime në operatorin e telekomunikimeve, nga i cili mungojnë të dhëna për hetimin në rastin “Target”.
Në vend të informimit të balancuar, informimi i mediave është i njëanshëm
Sfera e mediave edhe më tej është pasqyrë e ndikimit politik të partive qeverisëse. Mediat pro-qeveritare vazhdojnë me praktikën e deritanishme të favorizimit të aktiviteteve të pushtetit dhe marketingut politik të partisë qeverisëse, ndërsa mediat tjera që mundohen të mbajnë qasje të balancuar gjatë informimit, janë të penduara për arsye se VMRO-DPMNE refuzon të merr pjesë në debate.
Java e parë e fushatës parazgjedhore në mediat, sipas gjetjeve preliminare të CIVIL-Qendrës për Liri, janë pasqyrë e trishtë dhe brutale në të cilën gjendet shoqëria e Maqedonisë, duke e përfshirë edhe mënyrën në të cilën shoqëria tenton ta zgjidhë krizën politike dhe shoqërore në këtë proces zgjedhor në Republikën e Maqedonisë, të cilin shumica, edhe mes aktorëve politik, e konsiderojnë si ndoshta më të rëndësishmin në historinë e saj.
Në luftën për kushte minimale për mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme, në vend të garës së vërtetë zgjedhore, në të cilën mediat shërbejnë si platformë për ballafaqim dhe analizë të ofertës politike, mediat, në këtë shoqëri të polarizuar në baza etnike, politike, fetare dhe baza tjera, janë larg nga të qenit në nivel të detyrës, të mbeten rojtarë të demokracisë dhe interesit publik.
Puna e Komisionit të Përkohshëm për ndjekjen e punës së mediave gjatë procesit zgjedhor, arrijnë që vetëm pak ti zbusin efektet e kryqëzimit të hapësirës mediatike nga ana e qendrave të fuqisë, kryesisht nga ato afër me partitë politike në pushtet. Sidoqoftë, vërehet se në programet e radio-difuzerëve, për dallim nga më heret, ka më shumë hapësirë për opozitën.
Euro-deputetët skanojnë Maqedoninë parazgjedhore
Tre euro-deputetët, Eduard Kukan, Ivo Vajgël dhe Knut Flekenshtajn , javën e kaluar e kanë skanuar gjendjen në Maqedoni, në pritje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas vlerësimeve të tyre, partitë politike janë të përgatitura për zgjedhje të drejta dhe garë transparente, ndërsa zgjedhjet do të mund të zhvillohen në atmosferë të besueshmërisë dhe transparencës. Vlerësojnë se ekziston frymë bashkëpunimi mes dy partive kryesore dhe liderëve të tyre, për shmangien e incidenteve gjatë fushatës zgjedhore. Ata kanë paralajmëruar se përsëri do të vijnë në Maqedoni, pas mbarimit të zgjedhjeve, kur duhet të pranohen rezultatet, që të vazhdojnë reformat e definuara në Marrëveshjen e Përzhinës. Njëkohësisht, euro-deputetët kanë theksuar interesimin dhe kanë shprehur mbështetje për Prokurorinë Speciale Publike.
Edhe diplomati Austriak, Sebastijan Kurc është për vizitë në Maqedoni. Ai pas takimit me kolegun e tij Maqedonas, Nikolla Poposki, ka deklaruar se “zbatimi i zgjedhjeve të drejta dhe të lira, bashkë me implementimin e prioriteteve urgjente të reformave, do të mundësojnë që Maqedonia të kthehet drejt rrugës e cila do ta çojë nga hapja e negociatave për anëtarësim në BE”.
Prania e tij në tubimin e mbrëmshëm të VMRO-DPMNE në Shkup, shkaktoi reagime të mëdha në rrjetet sociale, dhe u vlerësua si lobim i hapur për partinë qeverisëse në kohë të zgjedhjeve. Mirëpo, për Sebastijan Kurc nuk ka asgjë kontestuese. Ai ka marrë pjesë në tubim si anëtar i Partisë Popullore të Gjermanisë.
Monika Taleska