Sonte në Klubin GEM në Çarshinë e vjetër të Shkupit, aktori dhe regjisor Agron Biba do të mbajë premierën e shfaqjes “Unë jam Grigor Prliçe”. Shfaqja, e cila është në organizim të CIVIL – Art divizionit, fillon në ora 20, ndërsa hyrja do të jetë e lirë.
Bëhet fjalë për një monodramë të shkruar nga vetë aktori, i lindur në Ohër, në kohë kur ai kalon nëpër një periudhë të vështirë në jetën e tij, duke u ballafaquar me papunësi dhe luftë për mbijetesë.
Frymëzimi për këtë vepër, siç aludon vetë titulli, vjen nga jeta e bashkëqytetarit të tij Prliçev. Siç shpjegon vetë autori, Athina në vitin 1860 është në kërkesë të identitetit të saj, dhe i përngjan Shkupit 2014, ndërsa ai vetë në Ohër dhe Shkup ndjehet sikur Përliçevi në Ohër dhe në Athinë. Edhe Agroni i gjen, Meletiusin dhe Aleksandros Rivas Rangavisin e tij. Emri, gjuha dhe kultura e Agronit nënçmohen në mënyrë të ngjashme si emri, gjuhës dhe kultura e Grigorit në të njëjtin qytet 150 vjet më vonë. Prandaj, Agroni vjen në përfundimin se ai është trashëgimtar shpirtëror i Përliçevit dhe me krenari deklaron: “Unë jam Grigor Prliçe”.
Agron Biba kа diplomuar regji teatri në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ka punuar për një vit si asistent profesor i aktores së famshme shqiptare Drita Pelingu, ndërsa në Teatrin Kombëtar Shqiptar ka realizuar disa role, në Vrasjen e Dantonit (regjia Vladimir Millçin), “Il Bugiardo” nga Carlo Goldoni (regjia Hervin Çuli), Legjendat Shqiptare (regjia Armando Bora). Bëhet edhe fytyrë televizive si drejtues i emisionit në TV Arbria. Që nga 1998 jeton dhe punon në Londër, ku mes tjerash bën regjinë e një shfaqjeje për kulturën shqiptare në Westminster Abbey, luan rol në produksion të Teatrit Kombëtar Mbretëror në “Gruan e mirë nga Seçuani” të B.Breht, në “Hobson’s Choice” nga Harold Bridgehouse prodhuar nga Young Vic Theatre, “Dhelprat” nga Alice Nutter prodhuar nga West Yorkshire Theatre, si dhe në dramën e Shekspirit “Timoni nga Athina” (regjia Adrian Jackson), prodhuar nga Cardobard Citizens & Royal Shakespeare Company, ku ai luan rolin e Timonit. Në vitin 2008, pas kthimit në Maqedoni, ka punuar një periudhë si producent në TV Alsat-M. Pas disa, viteve të papunësisë, prej vitit të kaluar është angazhuar si aktor në Teatrin Shqiptar në Shkup.