Shiko për zotin, komentin për qëndrimin e Zaevit dhe LSDM-së, si dhe të mbarë strukturave që organizojnë protestat civile, se nuk shkohet në Vjenë derisa nuk anulohet falja dhe zgjedhjet, në emër të VMRO DPMNE-së, e ka dhënë askush tjetër, po Ilija Dimovski. Personalisht.
Paskësh porositur se VMRO-DPMNE ka qenë dhe do të mbetet konstruktive kur bëhet fjalë për të ardhmen e Maqedonisë, dhe se ata qenkan të gatshëm të marrin pjesë në bisedimet që do të jenë një mënyrë për të dalë nga situata aktuale.
E kush porosit? A është ky njeriu që shpalli marrëveshjen e parë të tillë ndërpartiake, të ndërmjetësuar nga Howitt pas 24 dhjetorit të kobshëm, për letër tualeti? A është ky distancuesi i famshëm, me fusnotë? A është ish-koordinatori i “Soros” nga Velesi, e tani koordinator aktual për shtrirje të “sorosoidëve”, “mercenarëve” dhe “tradhtarëve” në faqet e para?
Qoftë edhe nga Illçoja, e tepruar është. Ajo që është populli rrugëve, nuk është faj e as ndonjë skenar i Zaevit, siç helmojnë dhe trumbetojnë kudo propagandistët e orkestruar prej qendrës së komunikimit të partisë së Illços. Të kujtojmë, mllefi u shkaktua nga vendimi i turpshëm i Gjorge Ivanovit (një tjetër ish-“sorosoid”), e më parë edhe nga vendimi i turpshëm dhe i orkestruar i Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha Ivanovit “ide” (për të cilën, apo, nuk është konsultuar me askënd). Kësaj i paraprinin muaj të shndërrimit të marrëveshjes në letër tualeti, me obstruksionin e përditshëm të asaj që ishte nënshkruar në Përzhino – vepër e ekipit, pjesë e rëndësishme e të cilit ishte pikërisht Dimovski. E të mos përmendim mllefin që përmbahej pa gufuar i shkaktuar prej krimit masiv, korrupsionit, okupimit të institucioneve, zbrazjes së Maqedonisë, varfërisë, marrëdhënieve të përkeqësuara ndëretnike.
E pse bre, Ilija, erdhëm deri te Përzhinoja dhe Vjena? Pse e ke popullin, atë në të cilin vazhdimisht thirreni pikërisht në partinë tuaj, në rrugë? Sepse keni qenë aq të mirë, por Zaevi (dhe më parë Branko) kanë luajtur topa me ju? O Ilija im konstruktiv, Zaev nuk është ai që është destruktiv dhe që ia kthen shpinën Maqedonisë. Zaev vetëm na tregoi në mënyrë eksplicite, se kush jeni dhe çfarë jeni. Ju jeni fajtorë, sepse në vend se të angazhoheni për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, merreshit me atë se si të qëndroni në pushtet, me propaganda, me nxirje të të gjithë atyre që nuk mendojnë sikur ju, me blerje të të varfërve dhe frikësim të të padëgjueshmëve. Me hajni, me të madhe. Punonit çdo gjë, vetëm jo atë që është puna e juaj.
Andaj, Illço, para se të paketosh valixhet për Vjenë, do të duhet të përveshësh mëngët me ‘naçallnikët’ e tu dhe me çobanin, dhe të pastroni atë që e berbatosët, këtë të fundit, më taze de, e cila është ende freskët dhe ende shumë kundërmon. E pastaj, kënaquni në shëtitjen në Vjenë. Do të jetë ndër shëtitjet tuaja të fundit, para se të shiheni me Katicën, Lençen dhe Fatimen. Dhe të përgjigjeni për krimin dhjetëvjeçar mbi qytetarët e Maqedonisë.