Protesta na rrugë eruptuan në kryeqytet, ShBA-të dhe zyrtarët evropianë e gjykojnë faljen. Vendimi i kryetarit maqedonas për falje të politikanëve të akuzuar për mashtrim dhe korrupsion shkaktoi protesta rrugore masive në kryeqytetin e vendit dhe ankesa nga Bashkimi Evropian dhe ShBA-të, që shprehën brengosje për mbrapësimin e sundimit demokratik në territorin e Evropës Lindore.
Këto tensione po vijnë në kohë të pakëndshme për BE-në, sepse BE-ja po mbështetet në vendin e vogël të Jugosllavisë së dikurshme për ta bllokuar rutën shpërngulëse ballkanike. Qindra mijëra refugjatë dhe migrantë e kanë shfrytëzuar këtë rrugë për të arritur deri në Evropës Veriore përgjatë vitit të kaluar.
Të mërkurën në mbrëmje, protestuesit e demoluan Zyrën Kombëtare të Kryetait në qendër të kryeqytetit, Shkup. Përveç protestave të reja që po planifikohen nga aktivistë të shoqërisë civile dhe nga opozita, partizanët e partisë pushtetare VMRO-DPMNE u mobilizuan për kundërprotesta, edhe pse partia, gjithashtu, publikisht e kritikoi vendimin e kryetarit për falje.
“Situata është e paparashikueshme dhe jashtë kontrollit”, thotë Borjan Jovanovski, kryeredaktor i portalit në internet NOVA TV, i cili ka qëndrim kritik ndaj Qeverisë. “Vendimi i kryetarit për falje ishte shokues. Ai paraqet bllokim të sundimit të së drejtës dhe kjo do të mundte seriozisht ta destabilizojë situatën, që edhe ashtu është e destabilizuar.”
BE-ja dhe ShBA-të e gjykuan faljen që e nënshkroi kryetari Gjorge Ivanov, i cili të martën amnistoi 56 politikanë e persona të tjerë që janë nën hetim të Prokurorisë së pavarur Publike Speciale për gjoja keqpërdorim të fuqisë. Ky hap në mënyrë efikase e neutralizoi hetimin, që nisi në vitin e kaluar, si pjesë e përpjekjes ndërmjetësuese të BE-së për ta qetësuar krizën politike të shkaktuar nga akuzat.
Diplomatët e ShBA-ve dhe të BE-së lobuan të enjten që Ivanovi ta shfuqizojë vendimin e marrë. Një zyrtar i lartë i BE-së deklaroi se vendet perëndimore do të lëvizin agresivisht kundër liderit të VMRO-së Nikolla Gruevskit dhe kundër disa funksionarësh maqedonas të tjerë të lartë, po qe se qëndron falja. Ndër dënimet e mundshme në diskutim janë: ndalesa për udhëtim në zonën e Shengenit të BE-së për politikanë të lartë maqedonas, tërheqje të ndihmesës për Shkupin për krizën me refugjatët, si dhe ndërprerje të përkrahjes për kandidaturë të vendit për anëtarësim në BE dhe NATO, deklaroi një person zyrtar të BE-së.
Kryetari Ivanov deklaroi se falja është e domosdoshme dhe do t’i mundësojë Maqedonisë për të dalë nga kriza politike.
Përfaqësues të BE-së theksuan se shqetësimi i tyre për anim ndaj politikës nacionaliste e autoritare në pjesët e Evropës paskomuniste në vitet e fundit.
Maqedonia u mbajt si shembull i fuqishëm për tranzicion demokratik deri në vitin 2000, po prej atëherë menaxhimi i saj shkon gjithnjë e më keq. Sipas raportit të ri të grupit të ekspertëve amerikanë “Fridom Haus”, rezultatet e Maqedonisë në aspekte të ndryshme në demokracinë liberale zvogëlohen përgjatë dekadës së kaluar, kurse “elita pushtetare populiste” e “shkatërroi mundësinë për kontroll dhe baraspeshë. Organizata joprofitabile “Reporterë pa Kufij” thotë se liria e mediumeve dukshëm u zvogëlua.
Një burim i problemit është kontesti i Maqedonisë me Greqinë fqinje, që beson se emri “Maqedoni” duhet të jetë i rezervuar për rajonin verior grek që, po ashtu, quhet Maqedoni. Greqia në vitet e fundit e bllokonte përpjekjen e Maqedonisë për të nisur bisedimet për anëtarësim në BE dhe NATO, me çfaë shpresat maqedonase për kyçje në organizatat më të rëndësishme të Perëndimit janë jashtë arritjes.
Pas shumë vitesh ndërmjetësim të ShBA-së, e pasuksesshme është përpjekja për t’u gjetur emër i pranuar për shtetin. Izolimi i vazhdueshëm e shkatërroi nxitjen e pushtetarëve të vendit për t’u mbajtur në kursin perëndimor në politikën vendore.
“Kalbja filloi në çastin kur vendi e humbi atë perspektivë kyçe evropiane”, deklaroi Xhejms Ker-Lindzi, specialist për Evropën Juglindore nga Fakulteti Ekonomik në Londër. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Greqisë tha se e përkrahin Maqedoninë në aspiratat evropiane – por kjo kushtëzohet me zgjidhjen e kontestit rreth emrit.
Skandali që e dridhi Maqedoninë shpërtheu në vitin 2015, kur opozita e akuzoi qeverinë e kryeministrit të atëhershëm Gruevski, politikan dominant në vend përgjatë dekadës së kaluar, për keqpërdorime, duke përfshirë edhe përdorimin e shërbimeve kundërzbuluese për të përgjuar 20.000 zyrtarë, gazetarë e qytetarë të tjerë.
Opozita i publikoi audio-incizimet e funksionarëve më të lartë, duke e përfshirë edhe kryeministrin që gjoja kanë biseduar për aktivitete të paligjshme. Gruevski mohon se ka bërë diç të keqe dhe e akuzoi opozitën se me përdorim të incizimeve të rreme po përgatit konspiracion për grushtet.
Një ekip prej ekspertësh juridikë, të dërguar nga Komisioni Evropian, publikoi në qershor të vitit 2015 se audio-icizimet “sigurojnë indikacione për aktivitete të paligjshme dhe keqpërdorim të pushtetit nga ana e disa përfaqësuesve të lartë qeveritarë”.
“Duket se pjesëtarë të lartë partiakë e qeveritarë janë të përfshirë në mashtrime zgjedhore, korrupsion, kërcënime, grabitje, nepotizëm dhe kronizëm”, deklaruan ekspertët, të udhëhequr nga përfaqësuesi i mëparshëm zyrtar i BE-së – Rajnhard Pribe.
Pas shtypjes së BE-së, qeveria dhe opozita u pajtuan të mbahen zgjedhje në fillim të vitit 2016, duke ndjekur reformat dhe hetimin e pavarur të akuzave për përgjim. Në janar, si pjesë e asaj marrëveshjeje, Gruevski u tërhoq të paktën përkohësisht si kryeministër në prag të zgjedhjeve që janë caktuar për qershor. Pritet që partia e tij do të fitojë.
Socialdemokratët opozitarë thanë në fillim të këtij muaji se do t’i bojkotojnë zgjedhjet, duke u thirrur në mungesë të reformave që nuk sigurojnë fushë të balancuar të lojës politike. Përfaqësues zyrtarë të BE-së, para vendimit për falje, e shtypën opozitën për ta tërhequr bojkotin. Pas hapit të faljes, qëndrimi i BE-së është se rrethanat nuk mundësojnë hapësirë për zgjedhje të lira dhe të drejta në qershor.
Persona zyrtarë nga Brukseli besojnë se qëllimi i vendimit të kryetarit Ivanov për falje është ta zbusë shtypjen ndaj VMRO-DPMNE-së dhe rrethin e Gruevskit. Disa diplomatë në Shkup konsiderojnë se, megjithatë, Ivanovi ndoshta ka vepruar pa miratim të VMRO-DPMNE-së.
Gruevski në konferencë për shtyp të enjten deklaroi se faljen që e nënshkroi Ivanovi ishte gabim, sepse hetimet do të tregojnë se a kanë qenë veprimet e paligjshme të bëra ekskluzivisht nga opozita.
(Teksti është publikuar mbrëmë sipas kohës maqedonase në edicionin elektronik Wall Street Journal)
Përktheu nga maqedonishtja: Arsim Jonuzi