Të zënë nga krizat momentale, ajo politike, e refugjatëve, sociale-ekonomike, më nuk e dimë se cilës prej tyre konkretisht t’i kushtojmë vëmendje. E pra, thash, hajde t’i rradhis sipas prioritetit. Para një kohe isha në intervistë për punë dhe punëdhënësi më pyeti se cilën prej tre gjërave në vijim i kam më të rëndësishme: të hollat, karrierën dhe punën profesionale apo atmosferën e mirë në punë?
Përgjigja ime, si nga pushka, ishte: atmosferë e mirë në punë, sepse me një atmosferë të tillë vijon dhe dëshira për ndërtimin e karrierës dhe në fund, nga të gjitha ato aspekte pozitive, vijnë edhe paratë. Kështu, për shembull, do ta kisha vënë mu në krye krizën politike dhe zgjidhjen e të gjitha komplikimeve me mënjanimin e kriminelëve. Më pas, nga ky mësim, të ardhshmit në pushtet do të dinë se shumë lehtë mund t’u ndodhë e njëjta përderisa ata i mbushin xhepat e tyre, e njëkohësisht nuk e përmirësojnë gjendjen ekonomiko-sociale. E, për në fund, pasi që do t’i zgjedhim problemet tona dhe do të kemi liderë stabilë, të mund të mirremi edhe me faktorët e jashtëm dhe problemet që dalin prej tyre. Sepse situata momentale duket si një krizë tipike-familijare, në të cilën gruaja ju tradhëton dhe i shpenzon paratë tuaja për qëllime joproduktive, e në të njëjtën kohë, për shkak të krizës financiare, nuk mund ta ushqeni foshnjën, ndërsa dikush nga jashtë, i cili është në ndonjë lloj krize tjetër, ju lut që t’ia zgjidhni problemin, të flejë tek ju, ta ushqeni…
E tani, të mos e zgjas shumë, poenta e adresimit tim të parë publik është: sot edhe fëmijët e vegjël e dinë se jemi në krizë, të gjithë, çdo njeri, i ri dhe i moshuar, me të cilët flas për temën politikë, fajëson pushtetarët aktualë, di për krimet, ballafaqohet me probleme të vështira ekonomike dhe sociale në shtëpi, e askush nuk ndërmerr asgjë!
Për shembull, përderisa ishim fëmijë, për mua dhe shokët e mi, qëllimi kryesor ishte që me një zheton ta fitojmë “kryesorin” në “flipera”, e fëmijët e sotëm qysh të vegjël mësohen për ndarjet etnike dhe ofendimet. Dhe të gjithë e dimë se nga vjen e gjitha kjo, por heshtim … Kur unë i kisha 12 vjet , duke luajtur futboll, ndanim të njëjtën shishe me ujë me miqtë e mi maqedonas, shqiptarë, romë, boshnjakë … Fëmijët e sotëm nuk mund të ndajnë të njëjtin dhe të vetmin teritor dhe të jetojnë në të. Si në lojë me kriminelë imagjinarë, I ndajnë “territoret” , njëri i të gjelbërve,tjetri i të verdhëve … Dhe, për të gjithë atë, nuk kanë faj fëmijët ose të rinjtë, të gjithë e dimë se kush janë fajtorët.
Hapin që duhet ta ndërmarrim është që të gjithë ne të shprehemi, ta tregojmë mendimin tonë, atë që na fle në zemër.. Askush nuk na detyron të ecim nëpër rrugë dhe të brohorisim, as të shfaqemi në televizion ose të shkruajmë kolumne në gazete … Thjeshtë, mendimin tonë mund të shprehim në zgjedhje, në të cilat kemi të drejtë legjitime – të japim votën në sekreci. Shumica do të thonë – kjo është propagandë, ky tekst është bindje për të votuar për dikë. Jo. Kush për kë do dhe për cilin mendon – le të votojë, por, votoni o njerëz, në duart tona është çdo gjë.
Une njoh qindra njerëz që e dinë se çfarë po ndodh, janë të vetëdijshëm për çdo situatë, e dinë se si duhet, dhe asgjë nuk ndërrmarin.Pse? Komenti më irritues për mua është: “Unë nuk lodhem me politikë!”. Dhe çdo fjalë të dytë që e nxjerrin është për politikën dhe për atë se si diçka nuk u pëlqen. Në rregull, nëse është ashtu, ndërmerrni dhe ndryshoni diçka, aq sa mundeni. Sa prej qytetarëve tanë – nuk dalin të votojnë, e pastaj, gjatë mandatit të atyre për të cilët nuk kanë votuar – asgjë nuk u duket mirë. Arsyeja kryesore që e japin është se nuk ka zgjedhje, se gjoja edhe njëra pale, edhe tjetra, qenkan për kurrkund.
Por situata jonë momentale është 10 vjet sundim kriminal. Në çdo vend normal dhe gjatë qeverisjes normale, njerëzit i ndryshojnë partitë në pushtet, thjesht vetëm për motivim të njërës palë apo tjetrës, që vazhdimisht të përmirësohen, dhe t’ua bëjnë me dije se populli vendos se kush do ta udhëheqë, kur ai dëshiron dhe si ai dëshiron. E di se një pjesë e madhe e popullsisë në Maqedoni është e vetëdijshme për çdo gjë, e di se për çfarë jam duke folur, mund të vendosë edhe të ndryshojë diçka, për të sjellë ardhmëri më të mirë për Maqedoninë.
Për këtë arsye, një herë e përgjithmonë, le të heshtin ata të cilët thonë se nuk ‘merren” me politikë dhe nuk rrebelohen kundër askujt dhe asgjëje. Nuk është poenta që të gjithë të mirremi vetëm në politikë, por kur vjen puna – thika nën fyt, atëherë çdo person i vetëdijshëm dhe inteligjent duhet të kontribuojë për një ardhmëri më të mirë për veteveten, për familjen e tij, e poashtu edhe për vendin. Sepse ne jemi shteti, populli, qytetarët dhe veprimet të cilët i bëjmë. Shteti nuk është vetëm një copë e territorit, është i gjallë përderisa populli është i gjallë, zemra e tij rreh në ritmin e zemrave të të gjithë qytetarëve! E,në Maqedoni, ata ka kohë që janë duke u larguar. Ata që janë ende këtu, mbeten të marrin frymë me aparat të frymëmarrjes, të ngulfatur nga veprimet e disa politikanëve të cilët janë të pandjeshëm ndaj vuajtjeve, dëshpërimit dhe jetës së hidhur të bashkëqytetarëve të tyre.
(Autori është absolvent në Fakultetin Ekonomik të Univerzitetit Shën Kirili dhe Metodi)