Muhamed Zekiri, gazetar dhe redaktor në TV Shenja, drejtues i emisionit “Rruga e re”, më 6 mars, në profilin e tij në Facebook shkruajti se janë shtuar kërcënimet kundër tij dhe familjes së tij.
“Unë do të vazhdoj të ndaj me Ju qendrimet e mia publikisht mbi zhvillimet në vend. Shumëkujt mund të mos i pelqejnë, por unë nuk do të pushoj të flas dhe ta them atë që mendoj”, thuhet në statusin e tij.
Kjo deklaratë provokoi reagime në opinion, e në një portal në gjuhën shqipe dolën edhe kundërakuza, se gjoja nga një person i tretë janë dërguar kërcënime ndaj një gazetari që ka kritikuar Zekirin, por i cili ka dashur të mbetet anonim.
Për Civil Media, Zekiri thotë se në sferën mediatike përpara zgjedhjeve nuk do të ndryshojë asgjë dhe se gjendja mund vetëm të përkeqësohet.
CIVIL Media: Në profilin tuaj në Facebook keni shkruar se jeni nën presion dhe se pranoni kërcënime, gjë që shkaktoi shumë komente në opinion. Për çfarë lloji të kërcënimeve bëhet fjalë?
Unë kam raportuar rastin në polici, i informova ambasadat e huaja për atë që po ndodh. Nuk mund të hyj në detaje se për çfarë lloj të kërcënimesh bëhet fjalë. Janë të informuar të gjithë që duhet të jenë të informuar në lidhje me kërcënimet. Nuk është hera e parë që më kërcënojnë, por këtë herë ajo ishte shumë më shqetësuese, fëmijët e mi ishin të shqetësuar dhe prandaj e shkruajta atë që e shkruajta publikisht në Facebook.
CIVIL Media: Disa media ju kanë sulmuar se, gjoja mbështetësit tuaj i kanë kërcënuar?
Nëse ka çfarëdo qoftë dëshmie që unë kam kërcënuar dikend mund të dalin publikisht për të thënë këtë, siç dola unë. As që e kam ndërmend të dal dhe të kërcënoj dikë. Nëse unë jam aq i fuqishëm që të kenë frikë prej meje, çfarë t’ju them më tepër…
CIVIL Media: Për një kohë të gjatë punoni si gazetar dhe redaktor, në disa televizione kombëtare. Si e vlerësoni rolin e mediave gjatë zgjedhjeve?
Mediat do të luajnë një rol kyç. Asgjë nuk ka ndryshuar. Këtë e tregon edhe fakti se partitë nuk u morën vesh mbi reformën e medias. Është e qartë se partitë në pushtet duan të kenë ato nën kontroll të plotë dhe të raportojnë në mënyrë siç ata duan, e jo siç duan mediat. Këtë e tregon edhe mënyra aktuale e raportimit, nëse ndjekim mediat si të informojnë, e veçanërisht televizionet kombëtare. Kështu që, unë absolutisht nuk jam optimist se diçka do të ndryshojë deri në zgjedhjet dhe gjatë fushatës dhe se do të ketë përmirësim.