Koalicioni “Të drejtat seksuale dhe shëndetësore të bashkësive të margjinalizuara”, sot e promovoi raportin vjetor për komunitetet e margjinalizuara në Maqedoni në aspektin e të drejtave të tyre seksuale dhe shëndetsore.
Raportin e promovuan Zharko Trajanovski, autor i raportit dhe konsulent për të drejtat e njeriut, Natasha Boskova, përfaqësuese ligjore e Koalicionit dhe Dragana Drndarevska, asistent në përgatitjen e raportit.
Raporti përmend disa raste të shkeljes së të drejtave të komuniteteve të margjinalizuara: indikacione për shkelje të shumta të të drejtave shëndetësore të pacientëve në Qendrën e Metadonit në Veles, kriminalizimin dhe përfaqësimin negativ të punëtorëve seksualë në emisione televizive, shkelje sistematike të së drejtës së privatësisë dhe të drejtës së mbrojtjes nga diskriminimi i njerëzve transeksualë, si dhe kritikë ndaj zyrës së Prokurorit Publik, e cila nuk ka reaguar në asnjë rast të raportuar të gjuhës së urrejtjes në vitin 2014.
Trendi i mosndëshkimit të dhunës fizike të motivuar nga urrejtja në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, vazhdoi edhe në vitin 2015. Për aktivistët e komunitetit LGBTI, fushata qeveritare për të definuar me Kushtetutë martesën është inkurajim i diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes në bazë të orientimit seksual, që është një nga arsyet për këtë trend negativ.
Koalicioni i potencoi edhe materialet shkollore diskriminuese, në të cilat homoseksualiteti është përshkruar si i panatyrshëm, i pashëndetshëm dhe si një nga faktorët që kërcënojnë mbijetesën e species njerëzore.
Raporti thekson edhe mënyrën në të cilën është zgjedhur përbërja e re e Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili ka anëtarë që publikisht inkurajojnë gjuhën e urrejtjes dhe kanë përfaqësuar haptaz qëndrime homofobike.