“Nuk ka dyshim se Marrëveshja e Përzhinos përmban hapa të rëndësishëm dhe pozitivë për përmirësimin e kornizës zgjedhore, dhe vazhdimësi në procesin e reformës. Formimi i Prokurorisë Publike Speciale është, po ashtu, një moment i rëndësishëm që ne e mirëpresim”, thuhet në kumtesën e përbashkët e përfaqësuesve të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës – APKE, të cilët gjatë tre ditëve të fundit ishin për vizitë në Shkup, Tetovë dhe Gostivar.
Në pres-konferencën e sotme, Lisa Kristofersen nga Norvegjia, nga grupi parlamentar i socialistëve dhe koraportuese e dialogut post-monitorues me Maqedoninë, theksoi rëndësinë e përmbushjes të të gjitha kushteve për të siguruar zgjedhje të drejta dhe demokratike.
“Nga bisedat që kishim me liderët politikë të cilët janë të përfshirë në proces, me ministrat kompetentë, me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe faktorët e tjerë, konstatuam se ekzistojnë pikëpamje të ndryshme për shkallën e plotësimit të marrëveshjes.” tha Kristofersen.
Valerij Gilecki nga Moldavia, nga grupi i partive popullore evropiane, përkujtoi se të gjitha partitë politike, edhe pas zgjedhjeve, duhet t’i përkushtohen zgjidhjes së problemeve që dolën në sipërfaqe me krizën politike dhe të përqendrohen në implementimin e prioriteteve kyçe, posaçërisht në pjesën e pavarësisë të gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe lirisë së mediave.
“Duke pasur parasysh se organizimi i zgjedhjeve të parakohshme u dakordua nga të gjitha forcat politike, ne i inkurajojmë që të mos e humbasin këtë shans, të vazhdojnë me negociatat dhe për të bëjnë kompromise, me qëllim që të arrihet një gjendje, kur do të mund të organizojnë zgjedhje të rëndësishme. E gjithë kjo në interes të popullit”, tha Gilecki.
Dy përfaqësuesit e delegacionit të APKE-së janë unanim se roli i tyre nuk është të vendosin vallë ekzistojnë kushte për zgjedhje korrekte dhe demokratike më 24 prill, por të vëzhgojnë procesin dhe të apelojnë që zgjedhjet të jenë demokratike. Në pyetje të gazetarëve në lidhje me qëndrimin e tyre për gatishmërinë e Maqedonisë për të organizuar zgjedhje demokratike, të drejta dhe të lira, të dy mysafirët nuk u përgjigjën drejtpërdrejt, por vurën në dukje se do ta presin vlerësimin e nesërm të Komisionit Evropian si dhe qëndrimin(mendimin) nga ekspertët e KSHZ-së.
Marija Tegovska