Mbi 150 mjekë specialistë dhe specialistë të ardhshëm sot dolën në protestë paqësore para Ministrisë së Shëndetësisë për të shprehur revoltën e tyre kundër qëndrimit injorant të autoriteteve shëndetësore në lidhje me problemet e tyre, të cilët i paraqitën përmes një peticioni të nënshkruar nga 350 specialistë, më datë 15 nëntor vitin e kaluar.
Me parulla “Todorovi nuk është Vëllai i madh!”, “Gjermani, më prit, po vij”, “JO – për kontrata fajdexhinjsh”, specialistët kërkuan nga Ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorovi, zgjidhje urgjente për problemet e shtresuara që ndikojnë në jetën e tyre, duke i detyruar të heqin dorë nga specializimet dhe të ngecin në karrierë.
Në emër të të gjithë specialistëve të Fakultetit të Mjeksisë, dr. Biljana Dodeva, specialist në specializim privat për psikiatri, tha: “Jemi këtu të themi – JO, për disa gjëra. JO – për incizimin e provimeve tona dhe transmetimin e drejtpërdrejtë në internet, JO – për punë pa rroga, pa sigurim shëndetësor dhe pensional, JO – për kontrata fajdexhinjsh dhe kambiale mbi 60.000 euro, JO – për kujdestari pa pagesë, JO – për diskriminim në lidhje me sëmundjen dhe diskriminim në lidhje me amësinë… Jemi këtu të themi një JO të madhe – për nënçmimin e profesionit të mjeksisë dhe JO – për nënçmimin dhe degradimin publik të mantelit të bardhë”.
Specialistët theksuan se bëhet fjalë për probleme të gjithë shoqërisë dhe për probleme sistematike dhe u bënë thirrje profesorëve të tyre, docentëve, asistentëve dhe të gjithë specialistëve, të solidarizohen dhe t’u bashkangjiten në luftën që më në fund të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre.
Apel i bënë edhe Ministrisë së Shëndetësisë, të mos qëndrojë e shurdhër në lidhje me problemet e tyre, duke theksuar se nuk do të heqin dorë nga lufta e tyre dhe se do t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike.
Specialistët nuk pranojnë marrëveshje për zgjidhje të pjesshme për shkak se ajo nuk e zgjidh problemin, ndërsa rreth betejave që po ndodhin në sistemin shëndetësor do ta informojnë edhe faktorin ndërkombëtar.
Ligji për Kujdesin Shëndetësor ka ndryshuar disa herë dhe nuk përfshirë asnjë nga kërkesat e tyre. Më 27 janar 2016 Kuvendi votoi edhe një ndryshim në Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, pa asnjë kërkesë të plotësuar nga peticioni i nënshkruar nga 350 mjekë specialistë dhe specialistë të ardhshëm.
Të gjithë ata kërkojnë edhe ndryshime në Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, ndihmë juridike marrin edhe nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ndërsa për këtë çështje është i informuar edhe Avokati i Popullit, i cili është në proces të përgatitjes së projektamendamenteve të Ligjit, që do të propozohen në Kuvend.
Biljana Jordanovska