Kryeministri Edi Rama, në prag të hapjes së kampit në Gjadër, në një intervistë për “Reuters” hodhi poshtë çdo mundësi për një marrëveshje me një shtet tjetër të BE-së përveç Italisë, për pritjen e emigrantëve.
Rama ka thënë për median e huaj se Shqipëria ka bërë një marrëveshje me Italinë për të pranuar refugjatët që mbërrijnë atje, për të ndihmuar në frenimin e migracionit të parregullt në BE.
I pyetur nëse një marrëveshje e tillë ishte e mundur edhe me Gjermaninë, ai tha se aktualisht nuk ka kapacitet të mjaftueshëm. “Gjermania duhet të gjejë një partner tjetër,” ka thënë Rama.
Kryeministri e ka bërë të qartë se synon të kandidojë për një mandat të katërt në 2025. “Plani është të kandidojmë. Unë besoj se duhet të kandidoj sepse ka punë për të përfunduar. Në këto tre mandate, ne kemi bërë gjëra të mahnitshme. Shqipëria ishte vetëm një lajm i keq kur bëhej fjalë për lajme, por tani kemi kapërcyer tavanin e 10 milionë turistëve në një vend ku turizmi ishte një ide e mire, por nuk ishte bërë ende realitet. Ka ende shumë gjëra për tu bërë, siç është lufta kundër korrupsionit që duhet të jetë një luftë e pakthyeshme”, është shprehur ai.
Rama merr pjesë sot në Procesin e Berlinit, me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të BE, ndërsa Shqipëria kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian 2030-ën.
“Një marrëveshje e zgjeruar e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për rajonin e Ballkanit Perëndimor është e arritshme. Do të jetë e rëndësishme të… rregullojmë mekanizmin e CEFTA-s,” tha ai në intervistë përpara samitit të organizuar nga kancelari gjerman Olaf Scholz.
Scholz do të bisedojë me Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në negociatat që u nisën në 2014 me synimin për të integruar rajonin në politika më të përputhshme me BE-në. /Top Channel