Së pari duhet të investojmë në burime ripërtëritëse të energjisë, por nevojitet edhe balancim i energjisë,njofton agjencia e lajmeve MIA.
Kjo është temë për të cilën duhet të diskutohet në mënyrë rajonale, theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në Samitin e sotëm investues të Ballkanit Perëndimor në Londër, duke folur për burimet ripërtëritëse të energjisë.
Ai theksoi se është kyçe ajo që Maqedonia e Veriut filloi me transformimin e energjisë dhe për momentin por zhvillohen projekte të shumta nga ajo sferë, shumica prej të cilëve janë financuar nga investues privat.
“Tashmë i transformuam të gjitha minierat e linjitit në instalacione solare, ndërkaq hymë edhe në fazë të dytë të një hidro-projekti të madh ‘Çebren’ për çka tashmë kemi investues të interesuar të cilët dëshirojnë të kalojnë në fazën e dytë, sepse ky është projekt historik në vend. Do të prodhohen gjysmë gigavatë energji elektrike, ndërkaq kryejmë edhe transformim të instalacioneve tona të mazutit të cilat prodhojnë energji elektrike. Filluam me ndryshimin e legjislaturës sonë për zbatim më të mirë të sistemeve solare për ndërmarrje të vogla dhe për amvisëritë sepse izolimi solar – ekspozimi është pothuajse më i madhi në botë dhe duhet të ketë mundësi të gjitha amvisëritë të investojnë, të mund të ndërlidhen me rrjetin dhe të bëjnë këmbim me distributorët e energjisë elektrike. Kjo është rruga nëpër të cilën duhet të shkojmë. Do të thotë, transformim i energjisë, diversifikim i energjisë sepse tani jemi tërësisht të varur nga gazi rus, ndërkaq siç pamë Maqedonia e Veriut është tërësisht e harmonizuar me aktivitetet e BE-së lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe i japim mbështetje popullit ukrainas që në fillim, ndërkaq do ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen”, theksoi Kovaçevski.
Kryeministri, duke folur për planet për turizëm në Maqedoni të Veriut, theksoi se në vend do të zhvillohet turizmi malor, si dhe ai i liqeneve.
Ai potencoi se turizmi i liqeneve është në nivel jashtëzakonisht të lartë, duke e përmendur Liqenin e Ohrit.
Ai përmendi se në atë rajon ka aeroport, si dhe se për momentin po ndërtohet autostradë e re.
“Kemi mundësi në vend të investojmë në resorte skijimi të cilat ndodhen në lartësi mbidetare prej mbi 2000 metrave, kjo është edhe një mundësi për investuesit, duke i marrë parasysh ndryshimet klimatike, ndërkaq parashohim edhe destinacione për turizëm alternativ, që në të vërtetë janë pjesë e projektit për konkurrencë lokale që zbatohej gjatë disa viteve të fundit dhe arriti të identifikojë investues të cilët në të vërtetë investojnë në kapacitete të vogla për turizëm alternativ”, theksoi Kovaçevski.
Rreth ekonomisë digjitale, kryeministri theksoi se në Maqedoni të Veriut gjithnjë e më shumë investues po investojnë në sektorin TI, sepse popullata është e interesuar të punojë në atë sektor për shkak se rrogat janë mbi dy herë e gjysmë më të mëdha se rroga mesatare në vend.
“Gjithashtu pagesa e tatimeve për të punësuarit është pothuajse zero apo deri në zero, të cilët punojnë në industrinë e TI-së. Gjithashtu investojmë në inovacione, investojmë në koncept nomad në ekonominë digjitale dhe kjo kontribuon për progres të vendit”, konkludoi Kovaçevski.