Presidenti rus dhe francez, Vlladimir Putin dhe Emanuel Makron, mbrëmë për herë të dytë në katër ditët e fundit biseduan në telefon për krizën ukrainase, njoftuan nga Moska dhe Parisi.
“Vazhdoi këmbimi i mendimeve për situatën rreth Ukrainës dhe çështjet e lidhura me sigurimin e garancioneve afatgjate dhe ligjore të sigurisë për Rusinë”, citohet në kumtesën e presidencës ruse. Sipas Kremlinit, Putin edhe njëherë “detajisht i prezantoi qasjet principiele ndaj këtyre problemeve”.
Të dy liderët, të cilët tashmë biseduan të premten, mbrëmë u dakorduan t’i vazhdojnë kontaktet në telefon, por edhe ta ruajnë mundësinë për takim personal. Presidenca franceze kumtoi se kjo bisedë është udhëhequr në drejtim të përshkallëzimit të gjendjes dhe se ka vijuar pas bisedës së Makronit me homologët e tij rus dhe ukrainas të premten, më 28 janar. Sipas pallatit të Eliseut, të dy presidentët i përshëndetën hapat pozitivë në punën e Formatit të Normandisë, në të cilin Rusia, Gjermania dhe Franca negociojnë për zgjidhje të konfliktit në Ukrainën lindore.
Nga fundi i vitit 2021, Moska është akuzuar se ka sistemuar rreth 100.000 ushtarë në kufirin ukrainas dhe se ka për qëllim ta sulmojë këtë vend, SHBA-ja dhe Britania e Madhe dje edhe zyrtarisht u kërcënuan me sanksione të reja kundër Moskës, nëse me të vërtetë zgjidhet një hap i tillë. Rusia mohon se planifikon sulm ndaj Ukrainës, por kërkon garancione me shkrim për sigurinë e saj, në të cilën është përfshirë edhe refuzimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe përfundimi me përforcimin ushtarak të Aleancës në Evropën Lindore. SHBA-ja, e refuzoi këtë kërkesë të rëndësishme të Rusisë në përgjigjen e tyre me shkrim deri te Moska, ndërsa Kremlini deklaroi se e shqyrton reagimin e tyre.