NATO dje i dërgoi Rusisë përgjigje me shkrim ndaj kërkesave të saja se kriza e sigurisë në Evropë mund të zgjidhet me dialog dhe diplomaci.
“NATO i bën thirrje Rusisë ta deeskalojë situatën. Jemi të gatshëm ta dëgjojmë shqetësimin e Rusisë dhe fuqimisht besojmë se tensionet dhe kontestet mund të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë”, deklaroi në konferencë për shtyp sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. NATO i dërgoi përgjigje me shkrim Moskës për kërkesat e saj – aleatët t’i tërheqin trupat e tyre nga anëtaret lindore dhe të garantojnë se Ukraina asnjëherë nuk do të jetë anëtare e NATO-s. Rusia sistemoi rreth 100.000 ushtarë në kufijtë me Ukrainën, njëkohësisht duke cekur se nuk ka plane për sulm.
Stoltenberg tha se Rusia vazhdon të sistemojë ushtarë në afërsi të Ukrainës dhe po sistemon mijëra ushtarë dhe armatim modern në Bjellorusi. Stoltenberg tha se NATO-ja asnjëherë nuk do të bëjë kompromis për parimet e veta themelore, të cilat përfshijnë mbrojtje të të gjithë aleatëve dhe të drejtën e secilit vend të zgjedhë se në cilat aranzhmane të sigurisë do të kyçet.
“NATO është aleancë mbrojtëse, nuk do të kërkojë konfrontim, por do t’i ndërmarrë të gjitha masat për t’i mbrojtur aleatët”, tha dhe shtoi se shpreson për zgjidhje të volitshme të krizës aktuale, por se NATO është e gatshme për më të keqen.“Ende është e mundur zgjidhja politike”, tha Stoltenberg. SHBA-ja nuk bëri lëshime për kërkesat kryesore të Rusisë ndaj Ukrainës dhe NATO-s.
“Nuk ka ndryshim, nuk do të ketë ndryshim”, deklaroi dje sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken. Diplomatë nga Rusia, Ukraina, Franca dhe Gjermania dje mbajtën bisedime mbi tetë orë për përfundimin e konfliktit separatist në ukrainën lindore, që është ndër arsyet e krizës mes Ukrainës dhe Rusisë. Negociatat në të ashtuquajturin format “normandik” ishin sinjal i mirë nga Moska dhe hap përpara në uljen e tensioneve, por mbetën dallime të mëdha dhe planifikohen bisedime të reja për dy javë në Berlin, deklaroi një funksionar francez. Mospajtimet mes Perëndimit dhe Rusisë ishin në kulmin e vet kur presidenti Xho Bajden deklaroi se do të mendojë për vendosje të sanksioneve personalisht për Putinin nëse Rusia e sulmon Ukrainën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov tha se sanksionet personale kundër Putinit do të ishin “politikisht destruktive” dhe të panevojshme sepse funksionarëve më të lartë rusë nuk u lejohet të kenë pronë dhe llogari bankare jashtë vendit. Ministri ukrainas i Punëve të jashtme, Dmitro Kuleba deklaroi se numri i ushtarëve rusë në kufirin me Ukrainën ende është i pamjaftueshëm për të kryer sulm të plotë ndaj vendit të tij.
“Kjo nuk do të thotë se një periudhë të caktuar kohore nuk do të mund ta rrisin në nivel të mjaftueshëm”, paralajmëroi dje ministri. “Të gjitha indikacionet janë se presidenti rus Putin do të përdorë fuqi ushtarake në një moment të caktuar, ndoshta nga mesi i shkurtit”, tha zëvendës sekretarja amerikane e Shtetit Uendi Sherman, duke shfaqur bindje se nuk e din nëse ai “ka sjellë vendim përfundimtar” për ofenzivë.
Një ditë pasi që SHBA-ja i dërgoi Ukrianës raketa anti-tank, minahedhës dhe armë të tjera, Gjermania u kritikua sepse kumtoi se do t’i dërgojë Kievit 5.000 helmeta ushtarake, por nuk do të sigurojë armë. Prefekti i Kievit, Vitalij Kliçko, për gazetën Bild deklaroi se kjo është qesharake.
“Çfarë ndihme do të dërgojë Gjermania pas kësaj? Jastëkë”, pyeti ai. Shefja e diplomacisë gjermane, Analena Berbok theksoi se qëllim i përbashkët i Perëndimit mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.