Me 62 vota “për”, 46 “kundër” dhe asnjë të përmbajtur sonte para mesnate në Kuvend është zgjedhur Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilën do ta udhëheq kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ky kabinet qeveritar i udhëhequr nga LSDM do të ketë një anëtar më shumë nga ai paraprak- ministër pa resor për diasporën, vend që i përket Alternativës. Kovaçevski do të ketë katër zëvendëskryeministra, Artan Grubi (BDI)- zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Sllavica Gërkovska (LSDM)- zëvendëskryeministre për Luftë kundër krimit dhe korrupsionit, Bojan Mariçiq (LSDM)- zëvendëskryeministër për Çështje evropiane dhe Fatmir Bytyqi (LSDM)- zëvendëskryeministër për Çështje ekonomike.
Për anëtarë të Qeverisë janë zgjedhur: Oliver Spasovski (LSDM) – ministër i Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska (LSDM) – ministre e Mbrojtjes, Nikolla Tupançevski (propozim nga LSDM) – ministër i Drejtësisë, Bllagoj Boçvarski (LSDM) – ministër për Transport dhe Lidhje, Lupço Nikollovski (LSDM) – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Jovana Trençevska (LSDM) – ministre për Punë dhe Politikë Sociale, Bisera Kostadinovska -Stojçevska (LSDM) – ministre e Kulturës, pastaj Goran Milevski (PLD) – ministër i Pushtetit Lokal, Bekim Sali nga Alternativa – ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri (BDI) – ministër i Arsimit dhe Shkencës, Bujar Osmani (BDI) – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi (BDI) – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi (BDI)- ministër i Ekonomisë, Naser Nuredini (BDI) – ministër i Mjedisit Jetësor, Admirim Aliti nga Alternativa- ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratë dhe Xhemail Çupi nga Alternativa – ministër pa resor përgjegjës për diasporën.