Kryeministri bullgar, Kiril Petkov ia uroi Dimitar Kovaçevskit marrjen e detyrës së re – kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i dëshiroi sukses Qeverisë së re në Shkup.
“Pres të punojmë së bashku në dialog të ri konstruktiv dhe mirëkuptim në interes të marrëdhënieve tona bilaterale, zhvillimi i të cilave është me dobi të madhe për qytetarët e Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, shkroi kryeministri bullgar në faqen zyrtare të Qeverisë së Bullgarisë në Fejsbuk.
Kryeministri bullgar theksoi se qëndrimi i Bullgarisë për perspektivën evropiane të fqinjit të vet të afërt – Republikës së Maqedonisë së Veriut është konsistent dhe i qartë. Sipas Petkovit, marrëdhëniet e mira fqinjësore mund të sjellin përfitime serioze jo vetëm për të dy vendet, por edhe për tërë rajonin. Kiril Petkov dhe delegacioni qeveritar i kryesuar prej tij, nesër, më 18 janar 2022, do ta vizitojnë Shkupin.