Shteti nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, por duhet t’i zgjidhë problemet me të cilat ballafaqohet, deklaroi sot kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin e sotëm para Vitit të Ri me gazetarët në selinë e partisë në Reçicë të Vogël. Për kontestin me Bullgarinë, Ahmeti tha se nëse duam të kemi një situatë stabile, të qëndrueshme dhe të avancuar në drejtim të proceseve euroatlantike, është e nevojshme që të zgjidhen dallimet që i kemi me palën bullgare në lidhje me Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë.
“Mendoj se gjërat janë përafruar. Deri tani i kemi pasur parasysh vështirësitë me të cilat ballafaqohej Bullgaria, me zgjedhjet, me vonesën e konstituimit të Qeverisë dhe Kuvendit të ri. Mendoj se dallimet janë përafruar. Për përafrimin e dallimeve na kanë ndihmuar partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët janë të interesuar të funksionojë paqja, stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në vendin tonë. Shpresoj se kjo çështje do të zgjidhet në ditët apo muajt në vijim, por me kusht që as autoritetet tona dhe as bullgare të mos politizojnë dhe të fusin emocione sepse është një temë që në vetvete është çështje emocionale”, tha Ahmeti.
Ai theksoi se paraprakisht nga pala bullgare është theksuar kërkesa që pakica bullgare të përfshihet në Kushtetutën e vendit dhe se kjo çështje tani është harmonizuar. “Ne pranojmë ta bëjmë këtë ndryshim dhe pranim të pakicës bullgare, që është e drejta e secilit të shprehet ashtu siç e ndjen. Ky parim ka funksionuar dhe do të vazhdojë të funksionojë”, shtoi Ahmeti.
Sa i përket gjuhës, Ahmeti theksoi se konstruktiviteti i dy vendeve do të ndihmojë në zgjidhjen e këtij kontesti, duke theksuar se është e pranueshme zgjidhja e formuluar në Marrëveshjen me Bullgarinë, duke bërë të ditur se shqiptarët solidarizohen me bashkëqytetarët e tyre maqedonas për zgjidhjen e këtij kontesti dhe tejkalimin e këtyre dallimeve, për arsye se “na lidhin interesat e përbashkëta”.
“Nuk ka negociata që janë të lehta. Të gjitha proceset kalojnë nëpër rrugë të vështira dhe me dallime mes palëve, por është e rëndësishme që të ketë një dialog konstruktiv mes palëve dhe vullnet të mirë dhe kjo e ushqen besimin se në të ardhmen do të ketë një zgjidhje të pranueshme. Besoj se bashkëqytetarët e mi maqedonas, si do t’i mbronte një maqedonas interesat e tyre, po aq i mbrojmë edhe ne, sepse kemi një qëllim të përbashkët, ndërsa kjo është një shtet të përbashkët stabil, të ardhme dhe vizion që vendi ynë të jetë një demokraci e avancuar dhe funksionale dhe plotësisht e integruar në BE dhe NATO”, theksoi Ahmeti.
Në pyetjen për fillimin e vetingut, Ahmeti tha se kjo nuk duhet të mbesë vetëm në deklarata në media, por të kryhen vepra konkrete dhe në funksione përgjegjëse në politikë, gjykata, prokurori dhe polici të jenë njerëz me biografi të pastër.
“Ne kemi folur me mediat, me shoqërinë civile dhe kjo duhet të fillojë nga politika, gjyqësori, policia dhe të mos mbetet vetëm në deklarata, por të punojmë konkretisht. Të jemi të koordinuar dhe të harmonizuar për të pasur sukses. Në të gjitha vendet e avancuara, si në SHBA, ashtu edhe në Evropë, ka mijëra zyrtarë që janë të burgosur, ndërsa tek ne politikanët dhe zyrtarët janë pakicë nëpër burgje”, tha Ahmeti.
Sa i përket perspektivës evropiane të vendit, Ahmeti theksoi se ka forca destruktive që punojnë kundër anëtarësimit në BE, duke theksuar se janë të njëjtat forca që ishin kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe Prespës dhe kundër Marrëveshjes me Bullgarinë, por ndërthuren edhe faktorët e jashtëm, siç janë ndikimi rus dhe kinez.