Qeveria e re bullgare do ta mbajë pozitën e vetme ndaj Maqedonisë së Veriut, parashikon pjesa për politikë të jashtme nga marrëveshja e koalicionit të partive politike që e përbëjnë shumicën e re parlamentare dhe qeveritare. Në shtojcën e dokumentit, siç publikuan mediat bullgare, citohet se marrëdhëniet do të përmirësohen “në frymë konstruktive” dhe përshkruhen hapat si do të arrihet kjo.
Hapi i parë është të aktivizohet puna e komisioneve bilaterale të parashikuara me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim përmes kalendarit të takimeve mujore. Është planifikuar formimi i komisioneve afariste (me pjesëmarrje të furnizuesve dhe klientëve nga të dy vendet). Edhe një hap është përforcuar bashkëpunimi në fushën e transportit, mes të cilave janë lidhja direkte ajrore Sofje-Shkup, ndërtimi i Korridorit 8, mbështetja financiare për lidhshmërinë hekurudhore.
Është parashikuar intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e shkencës dhe kulturës (kalendar i përbashkët kulturor, konferenca të përbashkëta shkencore). Mënyra tjera në të cilat do të punohet për afrim me Shkupin janë: të vazhdohet puna e Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për çështje arsimore dhe historike; Bullgaria pret autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të sigurojnë mbrojtje të përhershme nga diskriminimi dhe të drejta të barabarta për qytetarët maqedonas me identitet bullgar si pjesë përbërëse e vlerave evropiane; këmbimi i arkivave nga periudha 1944-1991 me qëllim të rehabilimit të viktimave të represionit; aktivizimi i diplomacisë publike si mjet; mbështetja e integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE përmes transferimit të përvojave bullgare.
Mes prioriteteve në politikën e jashtme të Qeverisë së kryeministrit Kiril Petkov është edhe thellimi i marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe heqja e regjimit të vizave për qytetarët bullgar.
Përveç kësaj, parashikohet edhe përforcim i marrëdhënieve bilaterale dhe lidhjeve politike në bazë të re me Mbretërinë e Bashkuar, në koordinim me politikat e BE-së. Është cituar edhe vazhdimi i dialogut me Rusinë në suaza të politikës së BE-së dhe zhvillimi i marrëdhënieve të barabarta në bazë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
Njëkohësisht, prioritet do të jetë edhe mbështetja e procesit në Minsk për zgjidhje diplomatike të konfliktit në Ukrainën lindore me mjete dhe mbështetje në suaza të BE-së dhe NATO-s për përshkallëzim të tensioneve në rajonin e Detit të Zi.
Në listë janë edhe “evergrinët” e politikës së jashtme bullgare: instistimi i palës ruse për kthim të arkivave bullgare dhe kompensim për trashëgimtarët e refugjatëve të Trakisë nga Turqia. Deputetët në Parlamentin bullgar dje e votuan Kiril Petkovin për kryeministër të ri të Bullgarisë, pas së cilës e miratuan listën ministrore dhe me atë i dhanë fund krizës politike disamuajshe në vend.
Në koalicionin katërpartiak përveç partisë së Petkovit “Ndryshimet Vazhdojnë” janë edhe socialistët (Partia Socialiste), “Ka një Popull të tillë” dhe partia me orientim të djathtë “Bullgaria Demokratike”.
Shefe e re e Diplomacisë bullgare është Teodora Gençovska, e cila është kuadër e partisë së Sllavi Trifonov “Ka një popull të tillë”.