Jemi së bashku edhe në të mirë edhe në të keq, ne jemi fqinj të parë, për mua popuj vëllazërorë dhe çdoherë duhet të ndihmohemi. Kjo tragjedi do të reflektohet pozitivisht në marrëdhëniet mes dy vendeve, sepse ndihmohemi, institucionet punojnë së bashku.
Kjo është porosia e popujve nga të dyja palët – jemi këtu për të ndihmuar njëri-tjetrin kur është vështirë dhe ta ndajmë gëzimin kur është mirë, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e përkohshëm bullgar, Stefan Janev.
Në fillim, Zaev shprehi ngushëllim për humbjen e dy vendeve, duke cekur se Bullgaria dje pasdite humbi nëntë persona nga zjarri në një shtëpi të moshuarish, ndërsa Maqedonia e Veriut humbi 46 jetë, para së gjithash të rinj në një tragjedi të tmerrshme që ndodhi me fatkeqësinë e autobusit. Theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mendojë edhe për shpallje të ditëve të zisë për 46 viktimat e saj në fatkeqësinë e autobusit, si dhe se qeveria e Bullgarisë po mendon të shpallë ditë zie për shkak të dy incidenteve tragjike.
Për fatkeqësinë, Zaevi tha se ishte informuar drejtpërdrejtë nga Stefan Janev, ndërsa ka biseduar edhe me presidentin Rumen Radev, pas çka bashkarisht me ministrat Bujar Osmani dhe Venko Filipe menjëherë janë nisur për në Sofje.
“Bashkëpunimi është në nivel të lartë. Besimi në institucionet e njëri-tjetrit është i madh dhe kështu më së miri do t’u shërbejmë qytetarëve kur do t’i kumtojmë të gjitha informatat e domosdoshme për fatkeqësinë dhe si ka ndodhur. Për shkaqet nuk do të komentoja, sepse ekspertët duhet t’i thonë të gjitha hollësitë, vetëm kështu është drejtë”, deklaroi Zaev. Ai, gjithashtu, theksoi se i ka vizituar shtatë bashkëqytetarët tanë në spitalin në Sofje, duke cekur se të gjithë janë në gjendje të mirë.
Kryeministri bullgar, Stefan Janev, theksoi se tragjeditë janë të zakonshme dhe tragjeditë janë ato që na prekin dhe i bëjnë njerëzit të bashkëndjejnë – pa dallim të nacionalitetit të njerëzve të cilët tashmë nuk janë me ne.
“Sot është ditë e veçantë, ditë të cilën populli bullgar e shënon me dy tragjedi serioze. Ditë e shënuar me dy tragjedi të rënda – incidenti i mbrëmshëm në fshatin Rojak, ku jetën e humbën nëntë shtetas bullgarë. Tragjedia ende po hetohet. organet hetuese duhet ta kryejnë punën. Disa orë më vonë, një tragjedi e re e shënoi ditën e sotme”, tha Janev.
Lidhur me fatkeqësinë e autobusit, Janev theksoi se autoritetet bullgare dhe ato të Maqedonisë së Veriut po punojnë të koordinuara, duke cekur se “nga hetimi shpresojmë se do t’i mësojmë këto leksione të cilat do të na mbrojnë nga incidente të këtilla në të ardhmen”.