Nuk ka kushte të mira për fillimin e ndryshimeve pozitive. Kushtet e mira do të jenë rezultat i ndryshimeve pozitive. Suksesi i gjeneratës sonë do të vlerësohet në bazë të asaj se a do të mund të sigurojmë të ardhme më të mirë për të rinjtë tanë, këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut. E këtë do ta arrijmë vetëm nëse ndërtojmë shoqëri të avancuar të bazuar në dijeni dhe ekonomi të qëndrueshme të bazuar në teknologji, porositi sot presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij për jubileun e 10-të të Samitit të Maqedonisë 2025, tema kryesore e të cilit është digjitalizimi.
Siç përmendi Pendarovski, sado që të duket e papërshtatshme të flitet për digjitalizim në një kohë kur shteti përballet me një krizë serioze energjetike dhe tronditje të çmimeve, megjithatë, nuk duhet lejuar që sfidat aktuale të pengojnë planifikimin e këtij hapi të domosdoshëm të zhvillimit. Kemi vetëm një opsion, në vend se të presim përfundimin e ngjarjeve të trazuara, duhet të punojmë me energji të dyfishtë për të rikonceptuar postulatet e rritjes dhe zhvillimit tonë ekonomik. Sipas Presidentit, paradigma e njohjes së mundësive edhe në krizat më të mëdha, sot na duhet më shumë se kurrë.
Republika e Maqedonisë së Veriut është në periudhë kyçe të zhvillimit të saj. Anëtarësimi i vitit të kaluar në NATO e vendosi vendin në një kontekst të ri gjeopolitik, ndërsa integrimi në BE udhëzon reformat në thuajse të gjithë sektorët. Ai bëri të ditur edhe për të dhënat më të reja të Eurostatit të vitit 2020, të cilat tregojnë se mesatarja e digjitalizimit dhe shkathtësive digjitale në Maqedoninë e Veriut është vetëm 32 për qind, derisa në BE është 56 për qind.
“Edhe pse një numër i madh i qytetarëve tanë kanë qasje në internet, pjesa më e madhe e tyre e përdorin atë kryesisht për informim dhe komunikim përmes mediave sociale. Është e domosdoshme t’i fokusojmë përpjekjet tona drejt zhvillimit të arsimimit digjital dhe shkathtësive meqë ato tashmë janë bërë kriter i pazëvendësueshëm për përfshirje të barabartë në tregun global të punës”, thekson Pendarovski. Ne, tha ai, nuk fillojmë nga zeroja. Në vend ekziston sektor solid i IT-së, i cili po rritet çdo vit me hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e pjesëmarrjes në ekonominë e Maqedonisë së Veriut.
“Krahas uljes së papunësisë dhe rritjes ekonomike, digjitalizimi mundëson transparencën e domosdoshme për të minimizuar ndoshta sëmundjen më të madhe për çdo shtet, e që është korrupsioni. Këtu e përfshij korrupsionin e përditshëm, të ashtuquajtur të imët apo beninj që rëndon shërbimet publike, por edhe më shumë atë të lartë, korrupsionin malinj që lidhet me krimin e organizuar”, theksoi kreu i shtetit.
Për një të ardhme më të mirë, shtoi Pendarovski, është me rëndësi vendimtare të kemi vizion të përbashkët për zhvillimin e vendit.
“Për këtë qëllim, që në fillim të mandatit tim, kam iniciuar projektin “MKD2030″ si kornizë e jona autentike strategjike për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut deri në fund të kësaj dekade. Duke përfshirë përfaqësues nga të gjitha segmentet e shoqërisë, përmes “MKD2030” duam t’i projektojmë prioritetet zhvillimore afatgjata për shoqërinë tonë. Njëherësh, e mbështes edhe Strategjinë kombëtare zhvillimore 2021-2041, që si fazë tjetër duhet të ndërlidhet me “MKD2030”.
Në këtë periudhë të shkurtër që kemi para nesh, duhet t’i orientojmë përpjekjet tona të përbashkëta drejt qëllimit kyç, e ky është: të krijojmë të ardhme për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, këtu, në vendin tonë. “MKD2030” fokusohet në disa tema të ndërvarura, nga digjitalizimi, decentralizimi dhe demokratizimi, përmes politikave ekologjike, ekonomike, agrare dhe shëndetësore, e deri te arsimi dhe shkenca dhe lufta kundër shpërnguljes së të rinjve nga vendi”, nënvizoi Pendarovski.
Për të qenë realisht i realizueshëm, ky zhvillim, theksoi ai, duhet të fokusohet në digjitalizimin. Presidenti, në fjalën e tij, përkujtoi se në raportin e vet të fundit strategjik, Komisioni Evropian identifikon hiperkoneksionin digjital dhe transformimin teknologjik si një nga katër tendencat kryesore globale që do të ndikojnë në BE-në deri në vitin 2050. Në të ardhmen e afërt, shtoi ai, gjysma e profesioneve do të jenë të automatizuara, ndërsa shumë profesione thjesht do të bëhen të panevojshme.
Duke iu referuar recesionit aktual global të shkaktuar nga pandemia, Pendarovski bëri të ditur se për nga intensiteti dhe shtrirja e tij i tejkalon efektet e krizës financiare dhe kreditore të vitit 2008.
“Ky, më lejoni ta quaj, përqendrim i krizave, si edhe në shumë vende të tjera në botë, i tregoi dobësitë tona strukturore dhe sistemore. Do të përmend vetëm krizën aktuale energjetike e cila ushtron presion shtesë në ekonominë, kompanitë dhe qytetarët, meqë jemi shumë të varur në aspektin energjetik nga importi. Të përballur me gjithë këtë, ne kemi vetëm një opsion. Në vend se të presim të përfundojnë zhvillimet turbulente, duhet të punojmë me energji të dyfishtë për të rikonceptuar postulatet e rritjes dhe zhvillimit tonë ekonomik. Në këtë aspekt nuk jemi të vetmit. Shumë strategji dhe plane kombëtare do të duhet të rishikohen dhe të përshtaten me realitetin e ri, për rimëkëmbje më të lehtë dhe më të qëndrueshme pas KOVID-it”, theksoi Pendarovski.
Forumi Ekonomik Botëror vlerëson se për shkak të digjitalizimit të përshpejtuar të ekonomisë globale në dekadën e ardhshme, madje 70 për qind e vlerës së krijuar përmes prodhimit dhe shërbimeve do të bazohet në modelet digjitale të biznesit, e në këto procese, është decid presidenti, përparësi do të kenë shoqëritë digjitale me infrastrukturë të zhvilluar digjitale dhe kulturë të strategjive novatore, inkluzive dhe të qëndrueshme të biznesit.
“Ku gjendemi ne në këtë pasqyrë? Sipas të dhënave të fundit të Eurostat nga viti 2020, mesatarja e digjitalizimit dhe shkathtësive digjitale në Maqedoninë e Veriut është vetëm 32 për qind, ndërsa mesatarja e BE-së është 56 për qind. Edhe pse një numër i madh i qytetarëve tanë kanë qasje në internet, shumica e tyre e përdorin atë kryesisht për informim dhe komunikim përmes mediave sociale. Është e domosdoshme t’i orientojmë përpjekjet tona drejt zhvillimit të arsimimit digjital dhe shkathtësive te qytetarët meqë ato tashmë janë bërë kriter i domosdoshëm për përfshirje të barabartë në tregun global të punës”, theksoi kreu i shtetit.
Në shtojcë të kësaj teze, tha ai, mjafton të shikohet Indeksi i katërt global i korrupsionit për vitin 2021, që tregon se vendet më të zhvilluara evropiane në aspektin digjital kanë nivelin më të ulët të korrupsionit. Gjithashtu, tha Pendarovski, digjitalizimi do të rrisë nivelin e shërbimeve për qytetarët, do të kontribuojë në atë që të kemi të dhëna më të sakta dhe me kohë për situatat në vend, do të lehtësojë udhëheqjen e biznesit, do të krijojë klimë të volitshme për inovacione, hapjen e inkubatorëve dhe startapeve dhe arsimimin e gjeneratës së re të nomadëve digjitalë. Para të pranishmëve folën edhe drejtorja kryesore ekzekutive e Maqedonia2025, Nikica Mojsovska Bllazhevski, si dhe kryetari i Bordit të drejtorëve të Maqedonia2025, Majkëll Çëkllamovski.
Në samit marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytiqi, i cili do të flasë për nevojën e transformimit digjital, si dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, i cili do të përqendrohet në teknologjitë për luftimin e ndryshimeve klimatike. Samiti organizohet përmes pesë paneleve dhe një interviste kryesore, me ç’rast 28 folës do të flasin para 100 të ftuarve dhe rreth 300 të ftuarve të lidhur onlajn.
Në mesin e folësve të Samitit do të jenë edhe drejtori i FITR, Kosta Petrov, drejtori kryesor ekzekutiv i SoftBank Group International, Marselo Klaure, i cili do të ketë intervistë me Majk Zafirovski, si dhe ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Rejçëll Gallovej.
Në Samitin do të prezantohen arritjet më të reja, tendencat, dituritë dhe shkathtësitë në fushën e digjitalizimit, ekonomisë qarkore, bizneseve të suksesshme rajonale në fushën e teknologjisë dhe sektorit të TIK-ut, ndërsa do të flitet edhe çështje të nxehta ekonomike – inflacioni, rritja e ekonomive, kriza energjetike dhe të tjera.
Maqedoni2025 dhe AMSHA sivjet krijuan ekip pune të përbërë nga mbi 20 anëtarë të cilët do të punojnë në Iniciativën digjitale MK2025. Ekipi i punës përfshin përfaqësues të katër odave ekonomike, tri partive politike nga pushteti dhe opozita, ministrin e Shoqërisë Informatikee, një përfaqësues të kabinetit të zëvendëskryeministrit Bytyqi, si dhe anëtarë të disa përfaqësive diplomatike dhe organizatave joqeveritare.