“Propozimi është që zgjedhjet lokale të mbahen më 31 tetor, në mënyrë që fushata të mos përkojë me Regjistrimin. Të gjitha partitë politike duhet të prononcohen dhe nëse bien dakord, kjo do të përfshihet në Kodin Zgjedhor”, tha sot kryeministri Zoran Zaev.
Sipas tij, këto ditë po diskutohet, po përgatitet një zgjidhje ligjore e cila, ndër të tjera, parashikon që kryetarët e bashkive dhe këshillat të kryejnë funksionet e tyre deri në zgjedhjen e organeve dhe kandidatëve të rinj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Zaev informoi se në lidhje me listat e hapura me partitë e mëdha u arrit marrëveshje.
“Ministri Mariçiq do të bëjë të ditura detajet. Ekziston një marrëveshje midis LSDM-së, VMRO-DPMNE-së, BDI-së, Aleancës dhe Alternativës. Tani mbetet me partitë e vogla. Kjo nuk është zyrtarizuar sepse do të zyrtarizohet kur parashtruesit, të cilët janë partitë e vogla politike, do të jenë të kënaqura me këtë avancim të modeleve demokratike. Bëhet fjalë për listat e hapura ku do të bëhet votimi – ekziston një preferencë. Propozimi është që të ketë një prag të paktën prej tre për qind. Nëse do të kishte 16,000 votues, tre për qind është rreth 500. Kështu që, kjo preferencë do ta vinte kandidatin në krye të listës. Partitë e vogla kanë rezerva, ata thonë- ne do të shohim nëse kjo është korrekte dhe e drejtë për ne. Sidoqoftë, ata janë më të vegjël, votat e tyre janë shpërndarë”, shpjegoi Zaev.
Por, mbetet për të parë, shtoi Kryeministri, se po bëhet një hap demokratik.
“E mirëpres faktin që VMRO-DPMNE-ja pranoi dhe me indikacionet që ata dhanë, me një preferencë, për herë të parë nuk kemi pse ta komplikojmë sistemin. Këshilltari i cili do të jetë i votuar me një preference plus, do të ketë një detyrim të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve, jo vetëm ndaj partisë ose koalicionit të tij. Unë mendoj se kjo do të promovojë demokraci. Ne po bëjmë një hap përpara dhe shpresoj se do të qëndrojë kështu deri në fund. Pjesa e dytë është për ditën e zgjedhjeve. Këto ditë ne jemi duke diskutuar, duke përgatitur një zgjidhje ligjore që do të nominojë si në vitin 2004 për vitin 2005 ose në pranverën e vitit 2017 për vjeshtën e 2017-ës, që kryetarët e bashkive dhe këshillat të kryejnë funksionet e tyre deri në zgjedhjen e organeve dhe kandidiatëve të rinj sepse kemi një arsye për shtyrjen e zgjedhjeve, dhe ky është regjistrimi i cili do të bëhet në shtator. Ne nuk duam që fushata të përkojë me regjistrimin. Dhe sigurisht, arsyeja e vonesës është pandemia. Nëse kjo nuk ndryshohet me ligj, zgjedhjet duhet të jenë në datën 17 dhe fushata do të përkojë me regjistrimin. Propozimi vjen për 31 tetorin, kryesisht nga partitë, megjithëse të gjithë do të prononcohen. Nëse bien dakord, ai do të përfshihet në Kodin Zgjedhor, tha Zaev.
Sipas tij, për zgjedhjet parlamentare, mund të bëhet një përmirësim ose avancim i ri i modeleve demokratike të votimit.
“Shpresoj se do të arrijmë një konsensus, është e rëndësishme që opozita të konfirmojë se është e kënaqur për këtë datë për zgjedhjet”, theksoi Zaev.