Në shtet prej sot fillon vaksinimi me “Fajzer” i fëmijëve prej moshës 12 deri 17 vjeçarë, prindërit/kujdestarët e të cilëve janë paraqitur në ueb faqen vakcinacija.mk, ndërsa sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, janë paraqitur rreth 1.800 fëmijë. Paralelisht vazhdon edhe imunizimi i popullatës së rritur.
Autoritetet shëndetësore bëjnë apel se mënyra e vetme për të na parandaluar që të përballemi me një valë të re të fortë dhe përhapjen e llojit të rrezikshëm delta është të imunizojmë sa më shumë që të jetë e mundur. Nga Ministria e Shëndetësisë dhe informuan se te ne janë zbuluar dhjetëra raste të llojit delta dhe asnjë prej tyre nuk është vaksinuar.
Sipas statistikës së fundit që e publikoi Ministria dikasteriale, në 24 orët e fundit janë regjistruar 21 raste të reja me Kovid-19 prej 3358 testeve të bëra. Prej tyre, 13 janë nga Shkupi, pesë nga Tetova dhe nga një nga Gostivari, Strumica dhe Dibra. Në spitalet në vend janë hospitalizuar 16 pacientë. Janë regjistruar dy pacientë të shëruar, ndërsa nuk ka të vdekur.
Situata aktuale epidemiologjike në vend është e qëndrueshme, spitalet janë të zbrazëta dhe vetëm katër pacientë janë në ndihmë të oksigjenit. Edhe pse sistemi shëndetësor është i gatshëm në rast se situata përkeqësohet, Ministria shpreson dhe uron që kjo të mos ndodhë. Për këtë, bëjnë thirrje në imunizim sa më masiv.
Analizat e fundit në të gjithë botën gjithashtu tregojnë se lloji i ri delta i virusit po përhapet masivisht në popullatën e pavaksinuar.
Në Evropë, që nga fillimi i muajit, rreth 84 përqind e njerëzve të infektuar rishtas në Holandë janë pavaksinuar, dhe 10 përqind janë vaksinuar me vetëm një dozë, ndërsa në Britani të Madhe, gati dy të tretat e njerëzve të infektuar me llojin Delta dhe më shumë se gjysma vdiqën, nuk ishin vaksinuar fare. Spanja shënon rritje të konsiderueshme të rasteve të reja midis të rinjve të pavaksinuar, pas një trendi në rënie të njerëzve të infektuar që nga fundi i Prillit. Numri i pacientëve në rajone të tilla si Katalonia është dyfishuar që nga fundi i qershorit dhe njësitë e kujdesit intensiv që ishin mbyllur paraprakisht sërish po hapen.
OBSH-ja është e bindur se të gjitha vaksinat janë treguar efektive kundër llojeve ekzistuese dhe mutacioneve në virus. Megjithëse disa studime tregojnë se efektiviteti i tyre është në rënie ndaj llojit Delta, ai është ende mjaft i lartë për të parandaluar zhvillimin e sëmundjes së rëndë, shtrimin në spital dhe vdekjen. Meqenëse virusi u zbulua të transmetohej në mesin e popullatës së pavaksinuar, disa vende kanë rritur masat kufizuese, kryesisht në shënjestër të individëve jo të imunizuar.
Ministria e Shëndetësisë thekson se çdo individ ka një përgjegjësi në luftën kundër pandemisë, me përgjegjësinë civile më të lartë për vaksinimin.
Detyra për të mbrojtur dhe promovuar shëndetin e vet dhe të të tjerëve është gjithashtu e rregulluar në mënyrë kushtetuese, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja maksimale e shëndetit personal dhe kolektiv, në mënyrë që këto masa të mos dyshohet se janë arsye për diskriminim ose në kundërshtim me të drejtat dhe liritë, por përkundrazi, synojnë inkurajimin e kontributit personal nga secili individ, i cili do të sigurojë shëndetin publik dhe mirëqenien kolektive”, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga fillimi i epidemisë arrin në 155.922 prej 930.540 testimeve në Kovid-19. Të shëruar janë 150.170, ndërsa të vdekur 5.487. Gjithsej për momentin janë 265 raste aktive, prej të cilëve në Shkup 99, në Tetovë 83, Gostivar 15, Kumanovë, Ohër dhe Kërçovë nga 13….Në disa qytete nuk ka raste aktive të Kovid-19.