Për momentin situata e lidhur me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi është stabile dhe nuk ka nevojë për masa plotësuese restriktive dhe masa për mbrojtje nga ato të cilat tashmë janë në fuqi. Politika e mbylljes është zbatuar në periudhën kur nuk ishin të arritshme vaksinat. Tani kur i kemi dhe kur janë të arritshme theks duhet të vendoset në procesin e vaksinimit, tha sot ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. Në atë kontekst ai paralajmëroi se prej të hënën fillon vaksinimi në terren dhe vaksinimi i qytetarëve pa termin.
Ai informon se sipas informatave me të cilat disponon në laboratoritë në vend nuk është sekuencuar rast i ri i llojit delta të koronavirusit përveç atyre të përhershme. Por, tha, nga ASHAM e kanë informuar se janë katër raste të cilat duhet të sekuencohen, ndërsa janë të dyshimta në llojin jugoafrikan.
“Politika e masave restriktive dhe mbyllja ishte praktikë në kohën kur nuk kemi pasur vaksina, ndërsa tani duhet të fokusohemi në vaksinimin që të mos jetojmë në restriksione”, tha ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas hapjes së Qendrës për ndihmë të parë psikologjike dhe mbështetje psikosociale të Kryqit të Kuq në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ai shtoi se përgatitjet për vaksinim në terren janë në fund dhe së shpejti pritet edhe shpallja e orareve për zbatimin e tij.
Ministri Filipçe theksoi se deri tani janë vaksinuar rreth 50 për qind e personave mbi moshën 70 vjeçare, rreth 40 për qind e personave mbi moshën 60 vjeç, prandaj, sipas tij, tani duhet të vihet theks edhe te personat më të rinj.
Ai paralajmëroi se sot në vend duhet të mbërrijnë 100 mijë doza vaksina “Astra Zeneka”, donacion nga Greqia.