Presidenti Stevo Pendarovski sot e priti drejtorin e Sekretariatit të Bashkësisë transportuese të EJL-së, Matej Zakonjshek.
Në takim, siç njoftuan nga Kabineti i presidentit, u bisedua për integrimin e vendeve nga Ballkani Perëndimor në tregun transportues të BE-së për çfarë nevojitet zbatimi i reformave dhe miratim të të drejtës së BE-së.
Drejtori Zakonjshek informoi presidentin Pendarovski për punën e Sekretariatit të Bashkësisë së transportit të EJL-së dhe për segmentet që lidhen me transportin dhe lëvizshmërinë, të tilla si siguria rrugore, investimet dhe reformat rrugore dhe hekurudhore, si dhe lehtësimin e tregtisë. Ai përmendi hyrjen e Korridoreve të Gjelbërta në Ballkanin Perëndimor gjatë pandemisë Kovid-19 si një nga aktivitetet kryesore për të lehtësuar rrjedhën e mallrave thelbësore për të luftuar pandeminë dhe shpjegoi përpjekjet për të zgjeruar këtë koncept në kufijtë me vendet e BE-së.
Në takim, presidenti Pendarovski theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është plotësisht e përkushtuar në përmbushjen e agjendës Evropiane dhe theksoi se investimi në një sistem cilësor dhe efikas të transportit është i një rëndësie të madhe për zhvillimin e ekonomisë dhe cilësinë më të lartë të jetës së qytetarëve.
Gjithashtu theksojnë se u bisedua edhe për planin e investimeve ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe përfshirjen e kësaj organizate ndërkombëtare në procesin e kontrollit të aplikacioneve të paraqitura nga partnerët rajonalë në mënyrë që të përmirësohen dhe plotësohen korridoret trans-evropiane, të cilat shtrihen në të gjithë vendet nga rajoni.