Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut fuqimisht është e vendosur të respektojë vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës, sundimi i ligjit, demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut, vlera që mbeten prioritet kryesor para së gjithash, si obligim ndaj qytetarëve tanë, por dhe si anëtarë të plotë të Këshillit të Evropës dhe vend kandidat në prag të fillimit të negociatave të anëtarësimit në BE, theksoi Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në video konferencën e sesionit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, me të cilin kryeson Gjermania, e i cili u zhvillua në format hibrid në Hamburg.
“Vlerat dhe principet e Këshillit të Evropës janë udhërrëfyesi për Maqedoninë e Veriut në procesin e negociatave dhe integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”, tha Osmani në fjalimin me temë “Përgjegjësia e Përbashkët për Sigurinë Demokratike në Evropë”.
Ai iu referua sfidave kryesore në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe ndikimin e COVID-19 ndaj këtyre parimeve themelore mbi të cilat mbështetet Këshilli i Evropës. Ai më pas e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit shumëpalësh, veçanërisht në trajtimin e çështjeve komplekse, siç është distribuimi i ekuilibruar i vaksinave, njoftoi MPJ.
Pas presidencës së Gjermanisë, presidenca gjashtëmujore e Komitetit të Ministrave ndërmerret nga Hungaria, e cila do të zgjasë deri në mes të nëntorit të vitit 2021.