ISHP Spitali i Specializuar për parandalimin, mjekimin dhe rehabilitimin e sëmundjeve të mushkërive Oteshevë, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, ka përgatitur një pjesë për pacientët për rehabilitim post-kovid. Ky spital është i vetmi në llojin e tij në vend për rehabilitimin pulmonar dhe fizik që ekziston dhe funksionon për 40 vjet. Ky spital është një “banjë ajri”, përkatësisht ndodhet midis dy parqeve kombëtare Galiçica dhe Pelister, pranë Liqenit të Prespës, informoi sot Ministria e Shëndetësisë.
“Shumë prej pacientëve që kishin Kovid-19 përballen me vështirësi në frymëmarrje dhe lëvizje dhe ata do të kapërceheshin më lehtë me ndihmë profesionale, përkatësisht me ushtrime të frymëmarrjes dhe fizike. Rezultatet e këtij rehabilitimi kanë një përfitim të madh për shëndetin e këtyre pacientëve dhe ky rehabilitim është një segment i rëndësishëm në sistemin shëndetësor. Procesi i rehabilitimit në këtë Institucion kryhet në përputhje me protokollet dhe programet më të fundit për rehabilitim post-kovid. Ekipi përbëhet nga një specialist në mjekësinë fizike, një specialist në mjekësinë e brendshme, një pulmonolog subspecialist dhe fizioterapistë. Secili pacient merr një qasje individuale në varësi të gjendjes së tij. Rehabilitimi zgjat ndryshe në varësi të shëndetit të pacientit, në mënyrë që të përmirësohet funksioni i frymëmarrjes, të vendoset vertikalizimi më i shpejtë dhe kthim në jetën normale”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga MSH shpjegojnë se simptomat më të zakonshme, nga të cilat ankohen pacientët post-kovid janë frymëmarrje e vështirësuar, dobësia e muskujve, dobësim, dhimbje e kockave dhe muskujve, ndërsa me këtë edhe dëmtim i cilësisë së jetës.
Gjithashtu, segmenti kryesor është rehabilitimi i frymëmarrjes, duke përfshirë ushtrime të frymëmarrjes, ushtrime në natyrë dhe shëtitje buzë liqenit të shoqëruara nga një fizioterapist, ushtrime specifike, pajisje të terapisë fizike për ta përforcuar masën muskulore të pacientit. Qëllimi, thekson Ministria e Shëndetësisë, është ulja e vështirësive të frymëmarrjes, lehtësimi i simptomave, kontrolli i ankthit, zvogëlimi i ndërlikimeve dhe në fund të fundit përmirësimi i cilësisë së jetës.