Shkollat e mesme profesionale në Prilep sot hapën dyert për nxënësit e ardhshëm të shkollave të mesme, me qëllim që t’i njoftojnë ata me përfitimet dhe mundësitë që ofron arsimi profesional.
Siç thuhet në njoftim, aktivitetet janë pjesë e fushatës “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm” të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, fushatë e cila po realizohet me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Shkup dhe përmes së cilës në fazën e pare, u zhvillua dialog intensiv me komunat dhe kompanitë për përcaktimin e nevojave për hapjen e profileve dhe paraleleve të reja arsimore në pajtim me gjendjen e tregut të punës në nivel lokal.
“Gjorçe Petrov”, “Orde Çopela”, “Riste Risteski – Riçko” dhe “Kuzman Josifovski – Pitu” në përputhje me Konkursin për regjistrim në arsimin e mesëm në vitin shkollor 2021/2022, kanë në dispozicion gjithsej 1059 vende të lira, për të cilët duhen të formohen 33 paralele.
Nxënësit mund të zgjedhin një nga drejtimet e ofruara, makineri, elektroteknikë, komunikacion, drejtimi grafikë, ekonomi -juridik dhe tregti, shërbime personale, drejtimi shëndetësi, kimi-teknologji, ndërtimtari – gjeodezi, bujqësi – veterineri, gjeologji – pylltari dhe metalurgji, pylltari – përpunues i drurit, dhe drejtimi tekstil – lëkurë.
Në shumicën e profesioneve, është futur koncepti i arsimit dual, i cili zbatohet në partneritet me shkollat dhe kompanitë vendore i cili nënkupton më shumë mësim praktik për nxënësit drejtpërdrejtë në vendin e punës, ndërsa më pak mësim i teorisë, i cili mundëson marrjen e shkathtësive të nevojshme për sigurimin e angazhimit adekuat të punës menjëherë pas formalizimit të arsimit të mesëm, si dhe bazë të mirë për avancimin e mëtejshëm të arsimit të lartë.
Si stimulim shtesë për nxënësit e ardhshëm të shkollave të mesme për të zgjedhur arsimin profesional, përveç futjes së konceptit të ri të mësimit dual i cili është mjaft interesant për të rinjtë, nga ky vit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndryshon politikën për bursat për nxënësit e shkollave të mesme.
Gjithashtu, të gjithë nxënësit që do të regjistrohen në shkollën e mesme profesionale kanë mundësi të aplikojnë për bursë në vlerë prej 3500 denarë për 9 muaj në vit, nëse nxënësi është pjesë e paraleles duale, gjegjësisht 2200 denarë për 9 muaj në vit, nëse nxënësi është i regjistruar në drejtimin i cili është deficitar, si drejtimi hotelieri-turistike, makineri, elektroteknikë dhe drejtime tjera të përcaktuara në konkurs i cili do të shpallet zakonisht në tre mujorin e tretë të vitit kalendarik.