Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot u takua me kryenegociatorin për inkuadrimin e Republikës së Shqipërisë në BE, Zef Mazi.
Siç theksohet në kumtesë, Xhaferi ka potencuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, me dialog intensiv politik dhe bashkëpunim në të gjitha nivelet dhe u zotua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të shumta me interes të ndërsjellë. Ka folur edhe për situatën e brendshme në vend, si edhe përkushtimin në tejkalimin e kontesteve dekadash me Greqinë dhe Bullgarinë që kontribuoi që Republika e Maqedonisë së Veriut të fitojë anëtarësim në NATO dhe dritë të gjelbër nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kryetari Xhaferi foli edhe për diplomacinë parlamentare dhe rolin e Kuvendit në procesin e aderimit në BE, para së gjithash nëpërmjet ndryshimeve të ligjeve dhe nxjerrjes së legjislacionit të ri për proceset reformuese.
“Kryenegociatori Mazi foli për proceset aderuese të Shqipërisë në BE dhe theksoi se i përcjell dhe vlerëson rezultatet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian. Ai e nënvizoi rolin vital të parlamenteve në zbatimin e mbikëqyrjes mbi hapat qeveritare dhe ndërtimin e pozicioneve shtetërore gjatë negociatave. Mazi shprehu shpresë se pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, do të vazhdojë bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet parlamenteve të dy vendeve, sepse kjo e ndihmon procesin e eurointegrimit”, thuhet në kumtesën e Pres shërbimit të Kuvendit.
Xhaferi dhe Mazi u pajtuan se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ndajnë interes të përbashkët në planin e politikës së jashtme, në suazat e BE-së dhe NATO-s, të bashkëpunimit rajonal dhe përkushtimit për zhvillimin gjithëpërfshirës të Ballkanit Perëndimor.
“Për vendet e rajonit nuk ekziston alternativë, ardhmëria e tyre është në BE. Procesi i zgjerimit nuk duhet vazhdimisht të shtyhet dhe Unioni duhet të ofrojë perspektiva konkrete për integrimin Evropian, a para së gjithash, mbajtje të konferencave të para ndërqeveritare për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë, me çka do të shënohet starti formal i negociatave”, thuhet në kumtesë.