Kryeministri Zoran Zaev bashkë me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov sot pasdite niset për në Madrid, që është vizitë e parë në Mbretërinë e Spanjës në nivel kryeministror.
Zaev, në Madrid, vjen nga Brukseli ku dje ka pasur takime me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe me përfaqësues tjerë të lartë të BE-së dhe Parlamentin Evropian ku kërkoi të zhbllokohet rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut, ndërsa porositi se gjuha dhe identiteti maqedonas të imponuara nga Bullgaria, nuk guxojnë të jenë temë e bisedimeve.
Sipas paralajmërimit të Pres shërbimit qeveritar, Zaevi nesër në Madrid do të ketë takim me kryeministrin spanjoll, Pedro Sançez dhe Pilar Lop Kuenka, kryetare e Senatit spanjoll.
Është paraparë takim edhe me Antoni Garamendin, kryetar i Konfederatës spanjolle të punëdhënësve.
Zaevi nga Madridi do të udhëtojë për në Athinë ku do të marrë pjesë në Forumin ekonomik Delfi.
Në Athinë, kryetari i Qeverisë, Zaev do të ketë takim me kryeministrin e Greqisë, Krijakos Micotakis.
Në margjinat e Forumit ekonomik Delfi, Zaevi madje do të ketë takime të ndara me Aleksis Ciprasin, ish kryeministër i Greqisë dhe lider i SYRIZA-s, me Toni Blerin, ish kryeministër i Britanisë së Madhe si dhe përfaqësues tjerë politik nga skena ndërkombëtare, përfaqësues të kompanive dhe Odave ekonomike.