Në ditën e parë të vizitës kryeministri Zoran Zaevi dhe delegacioni i Maqedonisë së Veriut në Bruksel në prag të Samitit të BE-së, në qershor ku Maqedonia e Veriut ende shpreson se përfundimisht formalisht do të hapen negociatat për anëtarësim në Union, bëhet e qartë se planet për ndarjen e Shkupit dhe Tiranës nuk hasin në mbështetje në kryeqendrat evropiane, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Zaevi, vizitën e tij, në fakt filloi të dielën në mbrëmje, kur u takua me përfaqësuesin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçakun, por takimet kryesore i realizoi dje. Së pari me komisarin evropian për zgjerim, Oliver Varhejin, pastaj edhe me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajenin.
Menjëherë pas këtyre dy takimeve, kryeministri i Maqedonisë së Veriut porositi se skenarët për ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fillim të procesit të fillimit të negociatave me BE-në nuk janë në interes të askujt, as të Shqipërisë, as të rajonit, as të Bashkimit Evropian.
“I dimë pikëpamjet e shumë vendeve rreth nesh, i dimë edhe për Shqipërinë. Është në interesin tonë të shkojmë së bashku. Interesi i Shqipërisë është të shkojmë së bashku, të ndihmojmë njëri-tjetrin së bashku gjatë gjithë këtij procesi dhe i uroj fqinjëve tanë më të mirën, ashtu siç u uroj qytetarëve tanë, por pragmatizmi thotë se Evropa as nuk duhet të mendojë për disa sinjale të ndryshme që nuk janë parimore, e dyta është e pamundur. Së treti, për të pasur bisedime të ardhshme të suksesshme, Serbi-Kosovë, Bosnjë dhe kushtetutë, gjithçka që po diskutohet duhet të japin sinjalin e shpërblimit. Ne e merituam atë si askush tjetër para nesh”, deklaroi dje kryeministri Zaev për MIA-n.
Ai theksoi gjithashtu se ekziston rrezik dhe për këtë i ka paralajmëruar bashkëbiseduesit e tij në Bruksel.
“Ekziston rrezik gjeopolitik, i sigurisë dhe ekonomik dhe çfarëdo rreziku tjetër meqë nuk themi rastësisht se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç të ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Aspirata jonë si popull, si komb është për vlerat evropiane, prandaj jemi kaq të vendosur, i gjithë ai anulim, ngrirje apo edhe pritje hap të gjitha mundësitë për çdo lloj rreziku që mund ta kthejë Ballkanin në ato dekada kur të gjithë ne nuk duam as të mendojmë se mund të përsëritet”, tha kryeministri Zaev.
Nga Komisioni Evropian, disa orë më vonë, erdhi deklaratë e re përmes zëdhënësve Ana Pisonero dhe Erik Mamer, se ky institucion mbetet fuqimisht i përkushtuar në rekomandimin e tij fillestar, ndërsa kjo që të dyja vendet duhet ta mbajnë Konferencën e parë ndërkombëtare sa është e mundur më shpejt, sepse edhe të dyja vendet i përmbushin kushtet.
Kryesore është edhe deklarata e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borelit, të dhënë dje pasdite, pas takimit të 27 ministrave të punëve të jashtme të BE-së se nuk ekziston qëllim për ndarjen e të dyja vendeve.
“Kishte një pajtueshmëri në Këshill sot se nevojitet përshpejtim i procesit të reformave të ndërlidhura me BE-në, gjithashtu duam të përshpejtojmë procesin e aderimit dhe nuk kemi ndërmend të ndajmë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, deklaroi shefi i diplomacisë evropiane pas takimit me 27 ministrat e punëve të jashtme të BE-së.
Por, paraprakisht vendet anëtare duhet të miratojnë edhe kornizë negociuese për shtetin, kornizë të përgatitur nga Komisioni Evropian para më shumë se një viti. Kjo draft kornizë nuk përmban kurrfarë kontestesh dypalëshe dhe është e fokusuar plotësisht në procesin reformues për BE-në.
Siç theksoi kryeministri Zaev, qëndrim të cilin e ndajnë shumë vende të BE-së mbështetës të zgjerimit, zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut do të dërgojë sinjal inkurajues për të gjithë rajonin, i cili tashmë një kohë të gjatë ka humbur durimin me ngecjen dhe hapin e ngadaltë në eurointegrimet në BE. Maqedonia e Veriut në Bruksel është e rëndësishme edhe për shkak të kapacitetit të saj të tejkalojë konteste dypalëshe veçanërisht në kontekst të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit.
Rëndësia për përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së i tejkalon edhe kufijtë e Ballkanit Perëndimor, siç theksoi dje edhe presidentja e Gjeorgjisë në takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovskin.
“Ne kemi parë që Maqedonia e Veriut në të kaluarën ka tejkaluar një pengesë të tillë, unë do të thoja një pengesë më serioze në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO. Jam e bindur që në të njëjtën mënyrë Maqedonia e Veriut do të jetë në gjendje të kapërcejë pengesën me të cilën po përballet aktualisht. Ne, vendet e vogla që në të kaluarën kemi treguar qëndrueshmëri, jemi përballur me shumë ngjarje historike në shekujt e kaluar, me pushtime, okupime, kemi mësuar se duhet të jesh elastik, të jesh kokëfortë, të njohësh drejtimin që po shkon. Ne vendet e vogla jemi optimiste sepse shohim rezultate. Për ne, si Gjeorgji, rezultati që Maqedonia e Veriut ka arritur me anëtarësimin në NATO është një sinjal shumë i fortë se dera e Aleancës është me të vërtetë e hapur dhe se nuk ka të bëjë vetëm me fjalë, por me një realitet që na jep të gjithëve optimizëm. Në të njëjtën kohë, shpresoj se kjo do të ndodhë me hapjen e negociatave të aderimit, që do të jetë një sinjal i shkëlqyeshëm edhe për Gjeorgjinë, sepse kjo është perspektiva jonë e përbashkët”, tha presidentja gjeorgjiane.
Kryeministri Zaev sot e vazhdon dhe e përfundon ofensivën e tij diplomatike në Bruksel së bashku me ministrin Bujar Osmanin dhe zëvendëskryeministrin Nikolla Dimitrovin.