Teksa Partia Socialiste vazhdon me procedurë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama në takim me deputetët socialistë deklaroi se do të bëjë çmos që ta “deminojë institucionin President”.
Ai theksoi se Meta nuk është asgjë tjetër përveç personalitet që e turpëron Shqipërinë, shoqërinë shqiptare dhe çdo qytetar normal në shtetin shqiptar me praninë e tij në krye të shtetit.
“Me Ilir Metën dhe partinë e tij nuk ka dhe nuk do të ketë kurrfarë bashkëpunimi. Meta duhet të shkarkohet nga funksioni si personalitet anti-shtetëror, i dënuar nga populli shqiptar më 25 prill, personalitet, i cili e turpëron Shqipërinë, shoqërinë shqiptare dhe çdo qytetar normal në shtetin shqiptar me praninë e tij në krye të shtetit”, tha Rama.
Kryeministri Rama shtoi se që të gjendet kandidat për president të ri, do të konsultohet me Partinë opozitare Demokratike.
“Ende është herët të flitet për pasardhësin e tij, por, për çdo rast, më herët apo me kohë, varësisht si do të zhvillohet procesi, ne do të konsultohemi me Partinë Demokratike për emrin e presidentit të ri”, tha Rama.
Ai theksoi se dëshiron të bëjë me dije se shkarkimi i Metës nuk ka lidhje me asnjë motiv tjetër përveç “pozicionimit tonë politik në anën e numrit më të madh të qytetarëve shqiptarë”