Maqedonia e Veriut e realizoi pjesën e vet të obligimeve. Është koha që BE-ja të japë rezultate, pa anulim, pasi çdo vendim ndryshe do ta prishë kredibilitetin e BE-së para Ballkanit Perëndimor.
Siç publikoi në Tuiter kryeministri Zaev, ky është mesazhi i përbashkët për të cilin janë pajtuar me Mirosllav Lajçak, përfaqësues special i BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd, në takimin e djeshëm në Bruksel.
Takimi me Lajçakun është takimi i parë i serisë së bisedimeve me përfaqësues të lartë të BE-së, që do t’i ketë kryeministri Zaev sot dhe nesër në Bruksel.
Zaev sot në selinë e BE-së në Bruksel do të takohet me kryetaren e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen, me kryetarin e Parlamentit Evropian, David Sasoli, me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme Zhozep Borell, me nënkryetarin ekzekutiv të KE-së, Frans Timermans dhe me eurokomisarin për Politikë Fqinje dhe Zgjerim, Oliver Varheji.
Në takimet e Zaevit me përfaqësuesit e lartë evropianë, në të cilat do të shoqërohet nga zëvendëskryeministri, Nikolla Dimitrov dhe shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, pritet të bisedohet për procesin inkuadrues të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, për veton e Bullgarisë, por edhe për deklaratat e fundit të eurokomisarit Varheji se është e mundur ndarja e Shkupit dhe Tiranës në rrugën evropiane.
Sipas deklaratës së pres shërbimit qeveritar, kryeministri Zaev gjatë vizitës në Bruksel do të ketë takim edhe me Augusto Santosh Silva, ministër i Punëve të Jashtme i Portugalisë, vend aktual kryesues me BE-në.
Janë parashikuar takime edhe me europarlamentarët Daçian Çolos, kryesues i grupit Europe Renew dhe me Ilhan Quçuk, raportues i PE-së për Maqedoninë e Veriut.