Qytetarët duhet të regjistrohen në sajtin vakcinacija.mk dhe këtu gjenerohen prioritetet. Ata do të marrin ose SMS porosi ose email ose të dyja në formën e një njoftimi dhe në përputhje me rrethanat do të planifikohen në pikën e duhur në kohën e duhur, deklaroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, pasi sot mbërritën 200,000 vaksina “Sinofarm” me të cilat pas festave duhet të fillojë imunizimi masiv.
Ai apelon që qytetarët të regjistrohen në vakcinacija.mk, duke theksuar se kjo është mënyra më e përshtatshme dhe më e shpejtë për tu regjistruar. Tani, siç tha ai, ka një sasi më të madhe të vaksinave dhe më shumë pikë në dispozicion, dhe nga 10 në 15 mijë njerëz do të vaksinohen çdo ditë.
Për këtë muaj paralajmëroi edhe 600,000 vaksina të tjera nga Kina, pra rreth 500,000 doza të “Sinovak” dhe 100,000 doza shtesë të “Sinofarm”, si dhe 26,000 doza të “Fajzer”. Ende nuk ka një datë të saktë se kur dhe sa prej vaksinave ruse do të arrijnë, dhe ardhja e vaksinave AstraZeneka po bëhet gjithnjë e më e pasigurt duke pasur parasysh situatën me virusin në Indi.
Nëse nuk arrijnë vaksinat e “Astra Zeneka” deri në terminet për rivaksinimin e qytetarëve tanë të cilët ishin vaksinuar me këtë vaksinë në Serbi, autoritetet shëndetësore serbe janë diskutuar për të sjellë ato vaksina nga Serbia tek ne dhe për të kryer rivaksinimin këtu.
“Flasim për qytetarët mbi 60 vjeç të cilët duhet të rivaksinohen pas 12 javësh nga doza e parë. Për grupmoshat e tjera të qytetarëve, ne ndjekim rekomandimet e disa prej vendeve evropiane. Gjermania, për shembull, rekomandon rivaksinimin me një vaksinë tjetër, ekspertët tanë nga Komiteti Kombëtar ndjekin rekomandimet dhe ne do të dalim me rekomandimet e duhura”, deklaroi Filipçe.
Vaksinat “Sinofarm” do të shpërndahen në të gjitha pikat e vaksinimit për vaksinim masiv në të gjithë vendin, në Shkup në sallën “Boris Trajkovski”, si dhe në Kumanovë, Kavadarci, Tetovë, Ohër dhe Manastir, gjithashtu në sallat sportive, sipas orarin e qytetarëve të regjistruar tashmë. Pikat në sallat sportive do të hapen në Veles dhe Prilep.
Në qytetet ku ka sallë sportive si pikë për vaksinimin masiv, javën e ardhshme palestra dhe pika në qendrën shëndetësore do të funksionojnë sipas orarit që është dhënë tashmë për qytetarët e moshuar.