Prej sot hyn në fuqi rekomandimi i ri i Komisionit për Sëmundje Infektive. Ndalesa për lëvizje do të fillojë një orë më vonë, në orën 21, por nuk do të vlejë për festat e ardhshme, Pashkët dhe Ramazanin, natën midis 1 dhe 2 majit dhe 13 dhe 14 majit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vala ngadalë po qetësohet, gjithnjë e më i vogël është numri i të sëmurëve, ndërsa bie presioni në spitale
Kompetentët, megjithatë, apelojnë – qytetarët dhe më tej maksimalisht t’i respektojnë masat parandaluese për mbrojtje nga Kovid-19, ndërsa veçanërisht të jenë të kujdesshëm gjatë festimit.
“Mbajtëm takim me liderët fetarë që ta dërgojmë mesazhin të menaxhohet hyrja në tempuj, në kisha dhe xhami, të jetë në pajtim me masat dhe protokollet. Nëse vazhdojmë më tej, si dhe deri tani, të jemi të kujdesshëm, t’i respektojmë masat, para së gjithash për mbrojtje personale, mosgrupim, mbajtje të maskës, do të mund ta përdorim fenë dhe traditën pa lejuar të rriten numrat, por do të vazhdojë edhe zbutja e masave. Nëse, megjithatë, relaksohemi dhe nuk i respektojmë masat, do të ketë sërish mbyllje të reja. Këtë askush nga ne nuk e do”, tha dje kryeministri Zoran Zaevi.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski bën apel të respektohen masat, Nuk ka, siç tha, mbrojtje më të mirë nga ajo që të jemi vetë të përgjegjshëm në përballjen me Kovid-19. Spasovski paralajmëroi dhe masa të veçanta për festat e pashkëve dhe 1 majit.
“Këtë vit masat janë më të relaksuara në krahasim me vitin e kaluar, por situata nuk është më e relaksuar. Kemi situatë serioze dhe duhet të mbetemi seriozë dhe të përgjegjshëm në këtë pjesë. Për këtë bëj thirrje që në mënyrë dinjitoze t’i kalojmë të gjitha këto festa. Të festojmë në rrethin e familjeve tona, të mos grupohemi në tempujt dhe objektet fetare”, porositi Spasovski dhe përkujtoi se krahas masave më të reja të cilat fillojnë prej sot, ende vlen ndalesa për grupim në më shumë se katër persona, ndërsa ka protokolle të veçanta për organizim të ngjarjeve që do të zhvilloheshin në hapësirë të hapur.
Ministri I Shëndetësisë Venko Filipçe përsëriti se gjendja ndiqet me vigjilencë. Konfirmoi dhe se në takim me liderët fetarë është biseduar t’u bëhet apel qytetarëve t’u përmbahen masave parandaluese, sepse kjo, siç tha, është shpëtimi i vetëm të mos ketë përkeqësim.
“Para një periudhe kishim masa restriktive, Në fillim orën policore, që në një periudhë dha rezultate dhe lakorja stabilizohej, u barazua dhe pastaj kjo në praktikë ishte parabolë dhe ende është ajo e cila imiton atë lakore nga muaji nëntor. Që nënkupton se për momentin kur filluan të bien numrat, në atë moment, vendosëm masa restriktive shtesë, me qëllim që procesi të përshpejtohet, të pastrohen spitalet, megjithatë duke parë parasysh se para nesh kemi festat, ndërsa të mësuar nga përvoja e vitit të kaluar se festat ishin një moment i përkeqësimit të situatës epidemiologjike”, tha Filipçe.
Ai njëherësh informoi se deri më tani janë vaksinuar rreth 53.000 qytetarë dhe se vaksinat kineze sot duhet të dërgohen nga Pekini, ndërsa në Shkup pritet të mbërrijnë apo në 30 prill apo 1 maj.
“Vaksinat kineze më 28 prill duhet të nisen nga Pekini drejtë Stambollit, në datën 30 nga Stambolli në Beograd dhe prej këtu sipas gjitha gjasave në mbrëmjen e datës 30 ose më 1 maj me kamionë frigoriferë specialë do të mbërrijnë në Shkup, pas çka do t’i vendosim në dhomën e ftohtë në poliklinikën “Jane Sandanski”, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Bilanci i fundit Kovid në shtet është 450 raste të reja me Kovid-19 prej 2.874 testimeve. Kanë vdekur 28 persona, ndërsa janë shëruar 1.001 pacientë. Janë bërë 2 874 testime, ndërsa numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve është 151.122 persona. Në repartet infektive në vend trajtohen 798 pacientë. Shtretër të lirë ka. Numri i përgjithshëm I pacientëve pozitive dhe të dyshimtë me virusin korona të cilët trajtohen në repartet infektive në kryeqytet dhe në spitalet në shtet është 1368, ndërsa në qendrat kovid janë të lira rreth 570 shtretër spitalorë.