Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot ka filluar seanca e 39-të, ku në rend dite është interpelanca për punën e ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski paraqitur nga deputetët e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, të mbështetur edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.
Lista e folësve për interpelancën është pa deputetët e LSDM-së dhe koalicionit dhe deputetëve të opozitës nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski ka shpjeguar se deputetët e tyre nuk do të kenë fjalime pasi interpelanca është e pabazë dhe se për atë që Sasho Mijallkovi, i akuzuar dhe i dënuar për disa lëndë, ndërsa për të cilën është ngritur interpelancë, është veçmë në paraburgim. Ai thekson se për deputetët e tyre kjo është edhe një ditë e humbur kot, ndërsa Spasovskit i propozoi që të vazhdojë edhe me më përkushtim në luftën kundër krimit pasi qytetarët këtë e presin.
Nga ana tjetër, Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE e ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi se nuk e ka pranuar listën e tyre të folësve, ndërsa arsye për këtë ka qenë vonesa prej dy orësh pasi partia opozitare ka dorëzuar kallëzim penal kundër tij për mbajtjen e seancës së 36-të. Micevski ka thënë se Xhaferi nuk do ua shkurtojë të drejtën e tyre deputetëve opozitar të flasin për punën e Spasovskit.
Xhaferi ka cituar nenin 49 të Rregullores në bazë të së cilës lista e folësve deri te kryetari i Kuvendit dorëzohet 24 orë para mbledhjes, ndërsa VMRO-DPMNE në vend në orën 11 listën e ka dorëzuar në orën 14, ndërsa përfaqësues i tyre nuk ka marrë pjesë në koordinimin me të.
“Mua më detyron Rregullorja të bëj listën e koordinimit. Si të bëj unë listë kur nuk keni ardhur në koordinim? Nëse keni vendim politik të mos vini, ky është vendim i juaj, ndërsa sa i takon pjesës së ligjit të Parkut kombëtar Mali Sharr për të cilin është plotësuar lista, nuk ka pikë dhe nuk ka seancë, me ditë ju kam pritur të dakordohemi”, ka thënë Xhaferi.
Kërkesën për interpelancë të minisitrit Spasovski e ka shpjeguar deputeti i ASH-së dhe Alternativës, Halil Snopçe i cili tha se krahas asaj që Mijallkovi është në paraburgim, vetë rasti me arratisjen e tij, pastaj paraqitja pas saj dhe reagimi i autoriteteve, dhënia e pasaportave të kriminelëve dhe raste tjera janë arsye e largimit të Spasovskit nga Qeveria.
Seanca është në vijim dhe në bazë të Rregullores duhet të përfundojë me votim në mesnatë.