Qytetarët e Republikës së Shqipërisë sot votuan për zgjedhjen e legjislacionit të ri të Kuvendit dhe kryeministrin e Shqipërisë, transmeton Portalb.mk. Fushata parazgjedhore për këto zgjedhje u shoqërua me tensione të larta ndërmjet aktivistëve dhe udhëheqësve partiak, duke rezultuar edhe me plagosje e vrasje.
Shqipëria mbylli qendrat e votimit, për të vazhduar me numërimin e votave. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka paralajmëruar publikim të rezultateve brenda 48 orëve.
Në pritje të rezultateve të para preliminare, exit-pollet e ndryshme tashmë kanë publikuar rezultatet e tyre nëpër media. Tv Syri publikoi rezultatin, ku planifikohet PS me 65 deputet, PD 63, LSI 10, ndërsa PSD 2 deputetë. Sondazhi i publikuar nga Top Channel, parashikon PS me 71 deputetë, PD 63 dhe LSI me 6 deputetë.
Deri në ora 18:00 kanë votuar 45.45 përqind e votuesve, ashtu që në Dibër dhe Tiranë është tejkaluar edhe 51%, derisa në Vlorë vetëm 32.93%
17:30 – Deri në ora 17:00 në Shqipëri të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 43.58 % e qytetarëve që kanë të drejtë vote, mbi 1.7 milionë votues, ku dallohet qarku i Dibrës dhe Tiranës me mbi 49%, ndërsa më së paku në Vlorë 31.63 %.
13:30-Në Shqipëri deri në ora 13:00 kanë votuar 31.87 e votuesve që kanë të drejtë vote, ku dalje më e madhe është regjistruar në Kukës me 38.69 %, ndërsa më pak në Gjirokastër 24.64 %.
12:30-Deri në ora 12:00, në gjithë vendin të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 27.18% e qytetarëve. Të drejtë ne votës e kanë shfrytëzuar edhe kryeministri Edi Rama, kryeopozitari Lulzim Basha, presidenti Ilir Meta dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Orët e para të zgjedhjeve u shoqëruan edhe me parregullsi të ndryshme, si mosfunksionimi i pajisjeve elektronike për identifikim, pajisje të përdorura për herë të parë në këto zgjedhje. Parregullsi janë regjistruar edhe në tentimin për të fotografuar votën.
Në ora 12:30, në sheshin Skënderbeu në afërsi të hapësirës ku transmetohet emisioni i TV Syri, futet një veturë me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar edhe incidente.
Të drejtë vote prej orës 07:00 deri në ora 19:00 kanë 3 588 869 votues, të cilët janë të shpërndarë në 12 qarqe: Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Vlorë dhe Tiranë. Qarku i Tiranës është qarku më i madh me 1 243 qendra votimi dhe 910 494 votues.
Në bazë të sondazheve të ndryshme të publikuara gjatë fushatës, gara zhvillohet ndërmjet dy partive tradicionale, Partisë Socialiste (PS) në krye me Edi Ramën dhe Partisë Demokratike (PD) me kandidat Lulzim Bashën.
Në mesnatë, Policia e Shqipërisë raportoi për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke sqaruar që dy banorë të Durrësit, si përfaqësues të një subjekti politik, po kryenin shit-blerje të votës.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 28 zarfë me nga 5 dhe 10 mijë lekë secili, që dyshohen se do të përdoreshin për blerjen e votës. Gjithashtu gjatë kontrollit në mjet u gjendën fletë votimi të cikluara për një subjekt politik”, raportuan nga Policia.
Paraprakisht policia njoftoi që ka arrestuar një shtetas dhe po kërkon një kandidat për deputet të dyshuar në korrupsion gjatë fushatës zgjedhore.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, të shtetasit E. B., 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,” shtetasin E. J., 32 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik për qarkun e Tiranës”, njoftoi Policia.
Policia ka raportuar për vazhdim të hetimeve edhe për një problem të paraqitur në Divjak, ku një qytetare raportoi se është sulmuar nga një drejtues lokal i policisë. Paraprakisht, policia ka njoftuar edhe për arrestimin e dy shtetasve të Dibrës për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”
“Të gjitha objektet zgjedhore janë të mbuluara me punonjës Policie dhe marrja në ruajtje e tyre fillon në momentin e mbërritjes së materialeve zgjedhore. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për krijimin e kushteve që qytetarët të votojnë të lirë dhe të qetë”, raportoi Policia.