Bashkëpunimi bilateral me fokus mbi ekonominë dhe mundësitë për lidhje infrastrukturore, ishin tema të bisedës në takimin në Prishtinë, të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani me homologen e tij, zëvendës- kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Shvarc, me çka e filloi vizitën zyrtare në Kosovë.
Siç njoftoi MPJ-ja, në takimet plenare të të dy delegacioneve, u riafirmuan marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe gatishmëria e të dy anëve për ndërtimin e mëtejmë të miqësisë së afërt dhe të përhershme, në interes të qytetarëve për të dy vendet, por edhe si shembull për rajonin, që ende po ballafaqohet me sfida të numërta.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë shkëmbim tregtar jashtëzakonisht dinamik, por njëkohësisht ekzistojnë edhe potenciale të mëdha për përforcim në pjesën e ekonomikë, për çka kuptohet është e nevojshme edhe mbështetje infrastrukturore”, potencoi Osmani.
Bashkëbiseduesit iu referuan edhe bashkëpunimit në resorët e arsimit dhe shkencës, kulturës, shëndetësisë e kështu me radhë.
Në drejtim të ndërtimit të dialogut të hapur me të gjithë vendet e rajonit, Osmani e përcolli mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si shembull më i mirë për tejkalimin e dallimeve dhe gjetjen e një zgjidhje të përhershme mes dy vendeve, në interes ë gjithë qytetarëve dhe rajonit në përgjithësi.
“Ambicia jonë e përbashkët, për anëtarësimin e plotë e të gjithë gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor, paraqet alternativën e vetme e cila siguron stabilitet afatgjatë dhe prosperitet”, përfundoi Osmani.
Siç qëndron në kumtesë, aktivitetet diplomatike të Osmanit në Prishtinë vazhdojnë me takimet e tij me kryetaren e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, kryetarin e Parlamentit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.