Gjatë vitit 2020 të huajt ndaj e-tregtarëve vendor kanë realizuar gjithsej 297.863 transaksione onlajn me vlerë të plotë prej 10,8 milion euro, kundrejt 170.390 transaksione onlajn me vlerë të plotë prej 6,8 milion euro në vitin 2019, që paraqet rritje prej 74,8 për qind në numër dhe rritje prej 58,8 për qind në vlerën e transaksioneve.
Këtë e tregon analiza e Asociacionit për e-tregti sipas të dhënave të publikuara nga Banka Popullore për numrin dhe vlerën e transaksioneve onlajn të realizuara me kartela pagesore të huaja ndaj e-tregtarëve vendor gjatë vitit 2020.
Nga Asociacioni për e-tregti thonë se oferta e rritur e prodhimeve dhe shërbimeve onlajn, duke e marrë parasysh se vetëm në vitin 2020 ishin hapur 439 e-dyqane të reja, ka ndikuar pozitivisht në rritjen e numrit dhe vëllimit të transaksioneve onlajn, të bëra nga ana e pronarëve të kartelave të huaja pagesore ndaj e-dyqaneve të Maqedonisë.
Nga vlera e tërësishme prej 10,8 milion euro të cilat të huajt gjatë vitit 2020 i kanë shpenzuar onlajn për blerje në Maqedoni, gjysma, gjegjësisht 50,7 për qind nga vlera e transaksioneve janë realizuar në interes të TOP 10- vendeve – SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Bullgaria, Gjermania, Turqia, Australia, Suedia, Kanadaja dhe Italia.
Nga aspekti i transaksioneve onlajn të bëra me kartela të huaja pagesore në Maqedoni 45,1 për qind e transaksioneve kanë përfunduar në interes të TOP 10 vendeve, ndërsa lsitën e udhëheq SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, pastaj vijojnë Bullgaria, Gjermania, Suedia, Italia, Turqia, Australia dhe Serbia.
“Numri më i madh i transaksioneve me kartela të huaja pagesore (50.406 transaksione) janë realizuar me kartela që janë dhënë në SHBA, ndërsa pastaj vijon Mbretëria e Bashkuar me 32.296 transaksione onlajn. Një pjesë e kësaj me siguri i detyrohet kartelave të brendit “Payoneer” dhe “Revolut” nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar të cilat njëherit shfrytëzohen nga personat e vendit, veçanërisht personat e IT sektorit të cilët punojnë “freelance” për firmat e huaja dhe sipas asaj baze realizojnë të ardhura që paguhen në këto karta, të cilat mund t’i shfrytëzojnë edhe për transaksione vendore”, qëndron në njoftim.
Dukshëm është se vendet e tjera,nga ku ka numër më të madh të transaksioneve dominuese janë ato vende ku ka numër të madh të mërgimtarëve, si Zvicra, Gjermania, Suedia, Italia dhe Australia, të cilat i shfrytëzojnë kartelat e tyre pagesore për të blerë onlajn nga e-dyqanet e Maqedonisë. Nga vendet fqinje, Bullgaria dhe Serbia janë pjesë e TOP 10 vendeve të cilat blejnë onlajn në Maqedoni.
Nga aspekti i vlerës mesatare të transaksioneve, pronarët e kartelave pagesore në SHBA mesatarisht kanë paguar prodhime dhe shërbime në vlerë prej 2.451,00 denarë, pronarët e kartelave nga Mbretëria e Bashkuar kanë paguar mesatarisht nga 2.382,00 denarë ndërsa kartelat nga Zvicra mesatarisht në Maqedoni onlajn kanë shpenzuar 2.528,00 denarë, citojnë nga Asociacioni për e-tregti.